Shenjat që tregojnë se këtu mund të qëndrosh vetëm 120 minuta dhe se duhet paguar për parking janë vendosur tashmë në rrugët “Fehmi Agani”, “Rexhep Luci” e “Mark Sopi” në kryeqytet.
Qytetarët janë të ndarë sa i përket fillimit të implementimit të pagesave në parkingje publike
Qytetari Bujar Dervishaj mendon se qytetit duhet t’i mbetet diçka nga e kalura, ndërsa nuk e ka mirëpritur projektin e parkingjeve.
“Po mungon e vjetra dhe e këndshmja e lagjens ‘Pejton’. Sigurisht që njerëzve u duhet parkingu, por duhet me mbetë diçka që ka ekzistu përpara”, tha ai.
E, Albert Maxhuni thotë se parkingjet do duhej të bëheshin më herët.
“Ky projket është shumë i mirë për Prishtinën dhe është dashtë të ndodhë më herët. Kjo e rregullon një problem të madh që e ka Prishtina”
Një tjetër qytetar, Hysen Berisha, ka thënë se një projekt i tillë është i domosdoshëm.
Projekti është ende në fazën fillestare, thotë kryeshefi i “Prishtina Parking”, Liridon Restelica. Sqaron se shumë shpejt do të fillohet edhe me shenjëzimin dhe lansimin e aplikacionit për pagesë.
Restelica shpjegon edhe mënyrat se si do të kryhet pagesa për banorët e lagjeve, por që do të mund të shfrytëzohen edhe nga qytetarët e tjerë.
“Parkingjet publike janë të ndara me zona. Derisa na qendër paguhet 1 euro për orë, në periferi çmimi është më i ulët”, tha ai.