Prishtina që nga paslufta ka pësuar ndryshime të mëdha. Ajo është ndërtuar e po ndërtohet vazhdimisht, ndërsa edhe zonat e vjetra të qytetit janë bërë pjesë e këtij procesi.
Mirëpo ajo që është shqetësuese për banorët e kryeqytetit është se infrastruktura e saj është shumë e dobët.
Rrugët dhe asfalti me cilësi të dobët, ndërtime të vrazhda pa ndonjë kriterë të mirëfilltë janë thuajse pjesë e çdo lagjeje të kryeqytetit.
E tillë është edhe lagjja Tophane.
Ajo me rrugë të ngushta, me shtëpi të ‘ngjitura’ me njëra tjetrën e tani edhe me ndërtesa të larta, duket sikur ua ngulfat frymën banorëve të saj.
E për t’i vënë kapakun, janë edhe telat e rrymës, të vendosura gjithandej nëpër shtyllat e kësaj lagje.