Kandidati i AKR-së për kryetar të Prishtinës, Gëzim Mehmeti, gjatë një takimi me banorët e lagjes Kodra e Trimave, është zotuar për zgjidhjen e kontesteve pronësore për më shumë se 70 përqind të pronave në këtë lagje.
“Në takim me banorët e kësaj lagjeje, u zotova që do ta zgjidh çështjen e pronësisë. Banorët jetojnë me vite e vite në shtëpitë e tyre dhe nuk janë pronarë legjitim të pronës së tyre.
Bazuar në ligjet valide, me propozimin tim dhe miratimin e Kuvendit të Prishtinës, të gjithë banorëve që kanë ndërtuar shtëpitë e tyre, prona do t’u jepet me një shumë simbolike 1 euro dhe do të gëzojnë të drejtën pronësore në listat poseduese. Kontestet e tilla juridike i kanë më shumë se 70 përqind e këtyre pronave”, ka shkruar Mehmeti në Facebook.
Po ashtu, ai u zotua që nën udhëheqjen tij do të bëhet ndërtimi i dy çerdheve të reja në këtë lagje.