Kandidati për kryetar të Prishtinës nga AAK-ja, Daut Haradinaj, ka vizituar Qendrën e Pensionistëve të Kosovës.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Haradinaj njoftoi se gjatë diskutimit me këtë kategori, u zotua se do të kujdeset që të gjitha barnat të jenë falas dhe që si shoqatë të jenë liruar nga pagesat komunale.
“Në Qendrën e Pensionistëve të Kosovës, për t’i ofruar mbështetjen time kësaj kategorie të përbuzur nga pushtetet e kaluara.
Biseda përmbajtësore me kryetarin e Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës – Shaban Kajtazi, kryetarin e Shoqatës së Pensionistëve të Prishtinës – Asllan Asllani, Qerim Gashi – anëtar i kryesisë së Shoqatës.
Gjatë diskutimit me ta u zotova se do të kujdesemi që të gjitha barnat të jenë falas dhe që si shoqatë të jenë liruar nga gjitha pagesat komunale.
Kërkesat dhe nevojat e tyre janë modeste dhe lehtë të realizueshme, që nuk e rëndojnë buxhetin e Komunës.
Si kategori e veçantë, përfaqësuesit e pensionistëve do të jenë të trajtuar me dinjitet. Përfaqësuesi i tyre brenda Komunës, kësaj kategorie do t’i mundësojë çasje direkt në vendimmarrje.
Do të kujdesemi që shërbimet shëndetësore për pensionistë dhe trajtimi i tyre në qendrat rehabilituese të jetë njëri nga veprimet e para që do ndërmarrim në qeverisje”, ka shkruar Haradinaj.