Në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Veternik që ka filluar së ndërtuari në korrik të vitit 2021, punimet janë ndërprerë tash e disa muaj.
Ani pse ishte planifikuar që si ndërtim të përfundojë në dhjetor të vitit të kaluar, ndërtesa është akoma vetëm në blloka.
Inxhinierët e komunës kanë vërejtur se punët nuk po shkojnë si duhet dhe kanë ndalur punimet.
Shkak u bënë dritaret që do të vendoseshin, e që nuk po i gjenin sikur po i kërkonin.
Kontrata e nënshkruar në mars të 2021-ës, kap vlerën e 616 mijë eurove.
E tani kur kanë dalë probleme për t’i vendosur dritaret sipas standardeve, komunës iu desh të shtojë edhe 60 mijë euro të tjera.
Kontrata për blerjen e tyre është nënshkruar, por drejtori i Shëndetësisë, Izet Sadiku, nuk dha ndonjë datë se kur do të finalizohet si projekt.