Këshilltarët e Kuvendit Komunal të Prishtinës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla dhe Arianit Beqiri, kanë dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë e Prishtinës ndaj Drejtorisë së Inspekcionit, me pretendimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare nga inspektorët e kësaj drejtorie.
“Këshilltarët e Kuvendit Komunal të Prishtinës nga radhët e LVV-së, Gëzim Sveçla dhe Arianit Beqiri, kanë dorëzuar Kallëzim Penal për keqpërdorim të detyrës zyrtare të Inspektorëve të Drejtorisë së Inspeksionit në Komunën e Prishtinës duke mos ndërhyrë në objektin pa leje të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, thuhej në njoftim.
Pas kësaj ka reaguar Drejtoria e Inspekcionit, ku përmes një postimi në Facebook, ësht shprehur e hapur dhe bashkëpunuese me organet e drejtësisë, përcjell Bota sot.
Drejtoria po ashtu ka thënë se dëshiron të tërheq vëmendjen e “subjektit kallëzues” por edhe të organeve të drejtësisë se, kallëzimi i rrejshëm penal i ushtruar me vetëdije dhe për motive politike, përbënë vepër të pastër penale, prandaj si drejtori jemi të interesuar që kjo çështje të sqarohet deri në fund.
Drejtoria e Inspekcionit ka thënë se në asnjë formë nuk do të pranojnë diktat politik të askujt lidhur me mbarëvajtjen e punëve dhe realizimin e planeve të tyre për Prishtinën.
Postimi i plotë:
NJOFTIM!
Drejtoria e Inspekcionit, ashtu siç edhe jeni njoftuar, është në vlugun më të madh të realizimit të aksioneve të cilat dalin nga Plani Emergjent i punës së kësaj drejtorie, aksione këto të mirëpritura dhe të vlerësuara gjithandej nga qytetarët e Prishtinës.
Pavarësisht kësaj, Drejtoria e Inspekcionit, ju siguron se nuk do të ketë asnjë rast/shkelje të supozuar të cilën nuk e ka trajtuar apo nuk do ta trajtojë në të ardhmen në përputhje me procedurat e parapara të kësaj drejtorie, pavarësisht mungesës së madhe të stafit me të cilën po ballafaqohemi.
Si Drejtori e Inspekcionit, mbështetur edhe në kërkesat/ankesat e qytetarëve të Prishtinës, kemi ndërtuar prioritetet e tona të cilat konsiderojmë se përbëjnë prioritet edhe për jetën e përditshme të qytetarëve të Prishtinës, dhe në asnjë formë nuk do të pranojmë diktat politik të askujt lidhur me mbarëvajtjen e punëve dhe realizimin e planeve tona për Prishtinën.
Në fund, Drejtoria e Inspekcionit, është krejtësisht e hapur për bashkëpunim dhe sqarim të secilës situatë me organet e drejtësisë, në çdo kohë, por njëkohësisht, dëshiron të tërheq vëmendjen e “subjektit kallëzues” por edhe të organeve të drejtësisë se, kallëzimi i rrejshëm penal i ushtruar me vetëdije dhe për motive politike, përbënë vepër të pastër penale, prandaj si drejtori jemi të interesuar që kjo çështje të sqarohet deri në fund.