Media raportoi mbrëmë për një rast të sulmit ndaj zyrtarëve policorë, në rrugën “Muharrem Fejza” në Prishtinë, derisa po shqiptonin gjobë për kundërvajtje. Një 39-vjeçar i mllefosur dyshohet se i sulmoi policët, por që njësia policore arriti ta vë nën kontroll dhe ta arrestojë.
Burimet e sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se personi që u prangos nga Policia është Arbër Krasniqi, i cili me aktvendim të Prokurorit të Shtetit është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Por si ndodhi rasti?
Meida mëson se i dyshuari fillimisht nuk i ka përfillur urdhrat e zyrtarëve policorë dhe më pas dyshohet se ka nisur t’i kërcënoi e sulmojë fizikisht ata, për çka kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
Posa panë rrezikun që po u kanosej nga qytetari, policët morën masa parandaluese duke e arrestuar dhe duke e shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Lidhur me rastin, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të dërgohet në mbajtje dhe të hetohet për veprën penale “pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.