Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka reaguar lidhur me ngritjen e çmimeve të tatimit në pronë, e cila ka shqetësuar qytetarët.
Rama ka thënë se kryeqyteti nuk ka pasur ndikim në rritjen e faturave të tatimit në pronë dhe se e njëjta ka ardhur nga rivlerësimi i pronave nga ministria e Financës.
Sipas tij, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve është autoriteti kompetent për vlerësimin e pronave, ndërsa Kryeqyteti sipas të njëjtit Ligj, cakton përqindjen e tatimit në pronë në bazë të vlerësimit të Ministrisë
Postimi i plotë:
Të dashur qytetarë,
Që prej dje kam marrë shqetësime të arsyeshme nga ju në lidhje me ngritjen e çmimeve të tatimit në pronë.
Për të evituar hutinë e shkaktuar nga deklaratat e nxjerra deri më tash, dëshiroj ta bëj më se të qartë për të gjithë qytetarët e kryeqytetit, të cilët janë ata që direkt preken nga ky proces.
Bazuar në dispozitat e Ligjit në fuqi për Tatimin në Pronën e Paluajtshme (neni 17 i Ligjit nr. 06/005 dhe UA MF-Nr. 08/2019) Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve është autoriteti kompetent për vlerësimin e pronave, ndërsa Kryeqyteti sipas të njëjtit Ligj, cakton përqindjen e tatimit në pronë në bazë të vlerësimit të Ministrisë.
Kryeqyteti e ka caktuar përqindjen më të ulët të mundshme të tatimit në pronë. Norma më e ulët e lejuar është 0.15% e shumës së përcaktuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.
Prandaj, ju siguroj se Kryeqyteti nuk ka pasur asnjë ndikim në rritjen e faturave të tatimit në pronë, por rritja ka ardhë si pasojë e ri-vlerësimit të pronave nga Ministria e Financave.
I juaji,
Përparim Rama