Drejtoria e Inspekcionit e Komunës së Prishtinës ka njoftuar se sot ka filluar ekzekutimin e rrënimit të një objekti në lagjen Tophane, Prishtinë, i cili kishte filluar të ndërtohet pa leje të organeve kompetente në kryeqytet.
“Pala kishte filluar së ndërtuari objekt pa lejen përkatëse nga organet kompetente me dimensione të përafërta ~ 13,00m x 18,00”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, Inspektorati i ndërtimit ka ndërmarrë të gjithë hapat e parapara ligjore duke urdhëruar palën me aktvendim të ndërpresë punët ndërtimore dhe të bëjë largimin e objektit pa leje ndërtimore.
Por sipas tyre, pavarësisht kësaj, pala nuk ka respektuar urdhrin e inspektoratit duke vazhduar me punime me ç’rast, komuna ka qenë e detyruar të ndërmarr aksion për rrënimin e këtij objekti pa leje.