Opozita në Prishtinë i ka shkarkuar aksionarët e ndërmarrjeve publike komunale.
Kjo u bë gjatë seancës së sotme të Kuvendit Komunal.
Në këtë seancë u caktuan edhe aksionarët e rinj, që përbëhen nga partitë opozitare në KK të Prishtinës.
Shefi i asamblistëve të Vetëvendosjes në Prishtinë Gëzim Sveçla, ka treguar në Info Magazine të Klan Kosovës arsyet se pse u ndërmor ky hap.
“Ky më tepër ishte një akt i koordinuar i opozitës në mënyrë që të ndërpritet keqmenaxhimet dhe abuzimet që janë shkaktuar tashmë një vit”, tha Sveçla.
Sveçla tha gjysma e ndërmarrjeve janë nën hetime.
“Gati gjysma e ndërrmarrjeve komunale janë nën hetime qoftë të policisë dhe prokurorisë për keqpërdorime të ndryshme. Kemi pasur edhe emërime politike dhe shoqërore, por edhe rezultatet e dobëta”, tha ai.
Shkarkimi u bë nga asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Aleanca Kosova e Re.
Për shkarkimin e aksionarëve pro votuan 25 asamblistë dhe një abstenoi.
Në seancë nuk morën pjesë asamblistët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës.