Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se këtë të premte e kanë përuruar Rrjetin e Shtigjeve të Gërmisë.
Rama potencoi se shumë shpejt do të publikohet edhe faqja zyrtare e Gërmisë, ku do të mund të shkarkohet harta digjitale, për informata për aktivitetet sportive, kulturore e të tjera.
“Këtë të premte me 23 Qershor e përuruam Rrjetin e Shtigjeve të Gërmisë, me theks në Kioskën Malore ku është vendosur Harta dhe informacioni i duhur për Gërminë”, shkroi Rama.
“Së shpejti lansohet edhe Faqja Zyrtare e Gërmisë ku do të mund ta shkarkoni edhe hartën digjitale, përfshirë rrjetin e shtigjeve aktive por edhe info për aktivitetet tjera sportive, kulturore dhe bota e gjallë.
“Shtigjet dhe pasuria e Gërmisë do të publikohet edhe në rrjetet ndërkombëtare konform parametrave të sigurisë dhe sinjalistikës (në shenja janë të vendosura edhe numrat e emërgjencës dhe Kërkim-Shpëtimit malor) @klubialpinprishtina e realizoi ndërsa #DrejtoriaeHapësiravePublike dheParqeve dhe @procreditbankkosova e përkrahën dhe mbikëqyrën çdo komponentë të projektit, duke vënë standard të punës, cilësi, komunikim dhe transparencë”.
Nëpërmes këtij realizimi Komuna e Prishtinës thotë se u qëndron afër qytetareve dhe nevojave të tyre, duke nxitur kështu aktivitet në natyrë, gjithnjë duke u mbështetur në shtigje të sigurta malore dhe të ardhme rekreative/turistike.
“Parku dhe Mali i Gërmisë është vlerë e çmuar për gjithë vendin, ndërsa subjektet e vrapimit, çiklizmit dhe ecësit të cilët kanë aktivitete të rregullta në park na japin shembuj konkret të raportit njeri – natyrë, në dobi të shëndetit, ambientit dhe mirëqenies”.
Projekti përmban:
60 km gjatësi të ndara në 11 shtigje të veçanta:
Shtegu i Shëndetit
Shtegu Familjar
Shtegu i Ariut
Shtegu Rrezja
Shtegu i Liqenit
Shtegu i Çiklizmit
Qasja në Mramor
Shtegu i Sofalisë
Shtegu i Lugmirit
Shtegu Artan Venhari
Shtegu Erida Kurshumlija
“Gjithashtu janë të vendosura edhe Kioskat Malore dhe Sinjalistika nëpër gjithë rrjetin duke e bërë të qasshëm dhe të sigurt për vizitorët. Duhet theksuar kujdesi i jashtëzakonshëm i Drejtorisë së Hapësirave Publike dhe Parqeve për Zonën e Mbrojtur dhe vet Masivin e Gërmisë; prandaj për çdo veprim apo aktivitet duhet kontaktuar stafin e kësaj Drejtorie”.
“Pavarësisht përurimit ne jemi duke vazhduar me përmirësim dhe shënim të rrjetit, gjithnjë me ndihmën e shumë miqve të sportit, natyrës dhe qytetit të Prishtinës”.