Janë duke vijuar punimet në ndërtimin e kumbonares së dytë të Katedrales “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë. Ky objekt do të marr pamjen e jashtme të plotë.
Bëhet e ditur se stili arkitektonik i Shenjtërores është neoromanik, i projektuar nga arkitekti Livio Sterliçhio dhe grupi i tij nga Roma.
Shenjtërorja është e gjatë 77,40 metra, nga absida deri tek dera kryesore, e gjerë 42,30 metra në pjesën e tranzetit, e lartë 32,50 metra në pjesën e “timpanit”, ose pika më e lartë e kupolës.
Në projekt janë të përfshira dy kambanarë në lartësi prej 63 metra, me bazë katrore prej 7,20 metra nga çdonjëra anë.
Kujtojmë se më 26 gusht 2005 u bë bekimi i gurthemelit nga i ndjeri Imzot Mark Sopi, në praninë e të ndjerit presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Pas emërimit të ipeshkvit të ri në Kosovë, Imzot Dodë Gjergjit, punimet në ndërtimin e katedrales filluan më 5 shtator 2007, pikërisht në festën e së Lumes Nënë Tereza.
Shugurimi i Katedrales u bë në përvjetorin e parë të Shenjtërimit të Nënë Terezës, më 5 shtator 2017.
Meshës solemne i priu i dërguari i posaçëm i Papës Françeskut, Kardinali shqiptar, Ernest Simoni-Troshani, kurse ritin e shugurimit e bëri Imzot Dodë Gjergji.