Kryetari i Prishtinës: 28 Nëntori testament i qëndrueshmërisë së shqiptarëve

Prishtina

Kryetari i Prishtinës: 28 Nëntori testament i qëndrueshmërisë së shqiptarëve

Më: 28 nëntor 2023 Në ora: 11:37
Kuvendi Komunal i Prishtinës

Kuvendi Komunal i Prishtinës ka mbajtur seancë solemne me rastin e Ditës së Flamurit. Pavarësia e Shqipërisë më 28 nëntor 1912, u konsiderua si vlerë e të gjithë popullit shqiptar, e cila është fituar me shumë përpjekje dhe vuajte brezash.

Kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, tha se 28 Nëntori është një testament i gjallë i qëndrueshmërisë së shqiptarëve.

Rama: 28 Nëntori është një testament i gjallë i qëndrueshmërisë së shqiptarëve

“28 Nëntori për ne është shumë më shumë sesa një tjetër datë. Është një testament i gjallë i qëndrueshmërisë sonë. Është kronika e betejave që i kemi zhvilluar është shpallje e pavarësisë dhe është festë e lirisë që e kemi aq të shtrenjtë. Në këtë kuqi e zi që na mbështjell të gjithë tokën tonë dhe më tej që sot valvitet kudo që tubohen shqiptarët, ne kthehemi në protagonistë që transmetojnë një simbol të fuqishëm. Ky është manifestimi kolektiv i identitetit tonë”, tha ai.

Ndërkaq, kryesuesi i asamblesë, Pëllumb Bajqinovci, tha se liria e arritur më 28 Nëntor është vlera dhe pasuria më e çmuar e shqiptarëve.

Bajqinovci: Liria e arritur është vlera jonë dhe pasuria jonë më e çmuar

“Liria e arritur është vlera jonë dhe pasuria jonë më e çmuar e shoqërisë sonë, e cila nuk falet, dhurohet por është fituar me shumë përpjekje dhe vuajtje brezash. Gjatë të kaluarës së vështirë, shqiptarët arritën që denjësisht të mbrojnë kombin e tyre duke ruajtur edhe gjakun e paraardhësve ilir”, theksoi ai.

Në anën tjetër një fjalë rasti e pati edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, i cili tha se kjo ditë është simbol i bashkimit të shqiptarëve dhe testament i sakrificave të bëra nga brezat e kaluar.

Malaj: Dita e Pavarësisë së Shqipërisë është më shumë se një ngjarje historike

“Kjo ditë ka një rëndësi të thellë për të gjithë shqiptarët, pasi ne përkujtojmë frymën e lirisë dhe unitetit që ka përcaktuar historinë tonë të përbashkët. Ndërsa mblidhemi këtu në Komunën e Prishtinës mua më kujtohet qëndrueshmëria dhe forca e treguar nga populli i Kosovës gjatë gjithë rrugëtimit të tij drejt Pavarësisë. Sot ne jo vetëm që festojmë Pavarësinë e Shqipërisë, por solidarizohemi me vëllezërit dhe motrat tona në Kosovë të cilët kanë treguar gjithmonë vendosmëri dhe guxim të palëkundur. Dita e Pavarësisë së Shqipërisë është më shumë se një ngjarje historike. Është simbol i shpirtit të qëndrueshëm që na bashkon si popull, një testament i sakrificave të bëra nga brezat e kaluara”, theksoi Malaj.

Ditën e Flamurit e kanë uruar edhe krerët institucional në Kosovë, derisa edhe kanë bërë homazhe në kompleksin memorial Adem Jashari në Prekaz.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat