Të enjten u mbajt seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Prishtinës, për të zgjedhur kryesuesin e ri. Ajo u përcoll me debate, pas problemeve teknike që pati, në mungesë të shërbimit të kuvendit e dikur edhe regjisë.
Aty nuk mori pjesë Lidhja Demokratike e Kosovës, derisa të pranishëm qenë disa drejtorë që u larguan më pastaj, përpos Bekim Brestovcit.
Në shenjë proteste ndaj kësaj situate, nga PDK thanë se nuk do të flasin, asamblistët e AAK-së nuk morën pjesë në seancë, njashtu sikurse ai i Nismës, ndërsa përfaqësuesi i AKR, Gëzim Mehmeti, propozoi Fehmi Kupinën si kandidat.
Ky i fundit, pas tre raundesh votimesh u zgjodh përsëri kryetar i kuvendit komunal. Kupina ishte shkarkuar nga kjo pozitë më 27 qershor të vitit të kaluar, pasi që më datë 8 të po atij muaji kishte dhënë dorëheqje nga Lidhja Demokratike e Kosovës, duke vazhduar si i pavarur.
Vendimin e largimit të tij opozita e kishte quajtur të jashtë ligjshëm, njashtu si edhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal. Megjithatë ai qe zëvendësuar me Pëllumb Bajqinovcin, që u shkarkua më 27 shkurt, emri i të cilit në këtë pozitë figuronte edhe gjatë seancës së të enjtes.