Asambleistët komunal të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinës ritheksuan se nuk do të votojnë pro draft dokumentit të Planit Zhvillimor të Komunës (PZHK), pasi siç thonë ata ka shumë mangësi dhe se është në dëm të qytetarëve.
Sot me ftesën e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) është thirrur seancë e jashtëzakonshme e cila përmban dy pika, ndër to edhe miratimi i draft dokumentit për PZHK-në.
Në një konferencë për media, kryetari i grupit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Gëzim Sveçla tha se dokumenti i Planit Zhvillimor Komunal, ka të meta procedurale, administrative dhe përmbajtjesore.
Ai tha se ky është mandati i fundit i kryetarit Përparim Rama, duke shtuar se ky i fundit është marrë me kontrata të dyshimta dhe se janë subjekt i hetimeve të Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Svçla: Plani Zhvillimor Komunal ka 28 vërejtje procedurale, administrative dhe ligjore
"Si Lëvizje Vetëvendosje, si qendër e Prishtinës tashmë e kemi shprehur qëndrimin tonë për këtë çështje. Bëhet fjalë për dokumentin kryesor i cili i shërben planifikimit të qytetit në periudhën e ardhshme tetë vjeçare, or i cili fatkeqësisht përmban shumë të meta qoftë procedurale, administrative dhe përmbajtjesore...Ky është mandati i tij i fundit, prandaj nuk është udhës dhe nuk është në rregull për Prishtinën dhe për zhvillimin qytetit që një person i cili në praktikë e ka dëshmuar që nuk i shërben të mirës publike, nuk i shërben qytetarëve dhe nuk i shërben zhvillimit të qytetit ta determinojnë zhvillimin e qytetit për një periudhë kaq të gjatë...Zotri Rama dhe subjekti i tij politik janë marrë me kontrata të tjera të dyshimta, një pjesë e madhe e të cilave siç tash e dini janë subjekt i hetimeve të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe çfarë po ndodhë, kur po hyjmë në fazën e fundit të mandatit të tij, ai na e sjell një Plan zhvillimor Komunal, i cili ka të gjetura 28 vërejtje administrative, ligjore dhe substanciale nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor", tha Sveçla.
Ndër të tjera, Sveçla potencoi se qeverisja aktuale në kryeqytet është qeverisje e shantazheve, bizneseve të fshehta dhe marrëveshjeve të dyshimta.
Sveçla: Kjo qeverisje është qeverisje e shantazheve, qeverisje e bizneseve të fshehta
"Është dëshmuar që kjo qeverisje është qeverisje e shantazheve, qeverisje e bizneseve të fshehta, qeverisje e marrëveshjeve të dyshimta”, potencoi Sveçla.
Ndërkaq, drejtoresha e Drejtorisë për Kadastër në Komunën e Prishtinës, Nora Kelmendi tha se ministria ka gjetur 28 shkelje të Planit Zhvillimor Komunal dhe ka urdhëruar që të bëhen disa përmirësime.
Ajo potencoi se ky dokument është i mangët sepse nuk e ka shkresën përcjellëse ku identifikohen dallimet në mes të kësaj PZHK-je dhe PZHK-së së vjetër, e cila ka qenë në fuqi.
Si shkelje tjetër, Kelmendi përmendi se draft raporti i vlerësimit strategjik mjedisor i PZHK-së, është i vitit 2021 dhe se nuk është përditësuar.
Kelmendi theksoi se ky plan nuk është përpiluar për qytetarët e këtij vendi por për realizmin e qëllimeve personale të kryetarit Rama.
Kelmendi: Ky plan është përpiluar për realizmin e qëllimeve personale të kryetarit Rama
"Plani i dërguar te ne bazuar në dokumentacionin të cilin e kemi pranuar, është i mangët dhe nuk e ka shkresën përcjellëse ku identifikohen dallimet në mes të kësaj PZHK-je dhe PZHK-së së vjetër, e cila ka qenë në fuqi...Shkelje tjetër, draft raporti i vlerësimit strategjik mjedisor i PZHK-së, është i vitit 2021, tani kanë kaluar 3 vite dhe kryetari e sjellë një draft të vlerësimit të vitit 2021. Pra, ky draft nuk është përditësuar fare. Kjo tregon që komuna nuk është serioze...Edhe ky raport ka mangësi të shumta dhe nuk përkon fare me kërkesat e qytetarëve të parashtruara në këto diskutime...Në këtë dokument janë paraqitur 28 të gjetura, të cilat fare nuk janë inkorporuar me këtë draft PZHK të dorëzuar tek ne asambleistët. 'PZHK-ja duhet të përmbajë planin e zonës urbane dhe zonës rurale dhe të plotësohet në çdo vendbanim me të dhëna për planifikim'...Ne këshilltarët komunal të LVV-së sot nuk do ta mbështesim këtë draft dokument i cili bie ndesh me kornizën ligjore. Ky plan nuk është përpiluar për qytetarët e këtij vendi por për realizmin e qëllimeve person ale të kryetarit me shokët e tij", tha Kelmendi.