Në lagjen Kalabria sot nisi ndërtimi i një shkolle dhe atje shkoi edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Por shkolla 6500 metra katror që parashihet të ndërtohet për 800-1000 nxënës, një qytetar tha se po ndërtohet në pronën e tij. Çështja e pronësisë së asaj toke është në kontest gjyqësor.
“Çka jeni tu ba? Na falni, çka jeni tu ba ju këtu? Çka jeni tu ba? Në pronë tem a?”, dëgjohet duke thënë Refik Rafuna në një video të publikuar nga Kallxo.com.
“Mos u ngut vëlla”, i thotë atij kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
“Prej ’64-es e kam unë. Ky është kontest gjyqësor. Pa u zgjidh, nuk niset shkolla. U kry”, tha qytetari i mllefosur. “Po më merr n’qafë kryetar. Pasha ni Zot po”.
“Unë sot po ni për ty”, i tha Rama këtij qytetari, që përsëriste se toka është e tij: “O dosta, kjo është e jemja një herë për një herë”.
“Gjyqi vendos”, i tha Rama.
“O dost a merr vesh ti?”, tha qytetari, ndërsa Rama ndërhyu duke i kërkuar të qetësohet: “OK, veç qetësohu, qetësohu, qetësohu”.
Qytetari tha se nëse gjyqi vendos në favor të tij, ai do ta rrënojë shkollën.
Para mediave, Rama tha se shkolla do të ndërtohet.
“Askujt nuk i bëhet e padrejtë. Mirëpo, punët duhet të vazhdojnë. Ne tash e kemi këtë pronë si të komunës”, tha ai.
Rama tha se “gjykata vendos dhe derisa gjykata të vendosë, toka është e jona”.
“Nëse gjykata vendos ndryshe, atëherë normal që kemi edhe mënyra tjera të shpronësimit”.