Hoxha për Planin Zhvillimor Komunal: Nuk i përmban elementet që kërkon ligji, është gjysmak

Prishtina

Hoxha për Planin Zhvillimor Komunal: Nuk i përmban elementet që kërkon ligji, është gjysmak

Më: 11 korrik 2024 Në ora: 22:14
Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha

Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha sonte në emisionin “Rubikon” ka folur për Planin Zhvillimor Komunal për Kryeqytetin.

Hoxha është shprehur se nuk ka mundësi të vihet në diskutim publik një plan i cili është i pakryer, sepse sipas saj, ky plan është i bërë për qejfet e disa njerëzve që janë brenda komunës.

“E para, procesi për një plan afatgjatë jo për Prishtinën, për cilindo qytet, komunë ose çfarëdo lloj zone e caktuar, duhet të jetë festë, në kuptimin e procesit që bëhet me qytetarët, në Kosovë, kjo është e drejtë e garantuar me Kushtetutë me Ligjin për Planifikim Hapësinor, me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, që qytetarët, grupet e interesit të jenë të përfshira në proceset e planifikimit dhe zhvillimit urban dhe komunal, jo në shqyrtim publik në fund, por në fillim të procesit”.

“Dhe tjetra që është më e rëndësishme se këtë çka po flasim, është që qytetarët nuk kuptojnë harta, nuk kuptojnë rrathë aty caktuar, koncentrik, se ku do të gjenden funksionet e caktuara, duhet t’i kesh në proces më herët për t’i identifikuar nevojat reale dhe jo vetëm qytetarët, se kur po flasim qytetarët nuk nënkupton disa qytetarë në lagje të caktuara për të cilat në dokumentin e PZHK-së, kur e kam parë raportin, në takimet me qytetarë nuk ka as adresë, as emër të lagjes, dhe ka lista të përsëritura që të duket se ka qytetarë më shumë në ato takime, janë lista të falsifikuara, të dyfishuara”.

“Për t’u dukur që ka pasur qytetarë më shumë në proces dhe takime më shumë. Kjo është një anë, por unë po flas për procesin që është i rëndësishëm e që e garanton Ligji për Planifikim Hapësinor, Neni 2, pastaj nenet e tjera, domethënë që e përcaktojnë elementet e planit, hapat e planit në nivel lokal edhe në nivel qendror dhe verifikimin e ligjshmërisë së këtyre dokumenteve që lidhen jo vetëm me ligjin, por me procesin, se a është nisë si duhet, e që ky plan nuk është nisë as si duhet dhe me përmbajtjen e që vërejtjet që vijnë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, pa çka që kanë ardhur me tre muaj vonesë, dy muaj, sepse një muaj është afati ligjor, në fakt, vërejtjet flasin pikërisht për përmbajtje, sepse plani nuk përkon me elementet që përcaktohen në Ligjin për Planifikimin Hapësinor”, është shprehur Hoxha.

Ajo gjithashtu tha se plani nuk i përmban elementet që i kërkon ligji dhe përsëriti se nuk mund të dalë në shqyrtim publik një dokument i cili sipas saj, është gjysmak.

“Nuk ka mundësi me u vu në diskutim publik një plan i cili është i pakryer, sepse nëse i lexon vërejtjet, domethënë krejt çfarë kërkon ligji në idenë e përmbajtjes së një plani, ky plan është i bërë ndryshe, është i bërë për qejfet e disa njerëzve që janë brenda komunës”.

“Plani nuk i përmban elementet që i kërkon ligji, nuk është e definuar qartë zona urbane se si duhet të jetë e zhvilluar dhe çka e përkufizon atë, dhe zona komunale, këto duhet të jenë mirë të shqyrtuara dhe çështje të tjera, pastaj edhe ligjore si proces, të cilat nuk janë përfillur fare dhe nuk mund të dalë në shqyrtim publik një dokument i cili është gjysmak, sepse si do të komentosh ti në një dokument, i cili nuk i ka krejt elementet që parashihen”, u shpreh tutje ajo.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat