Vetëvendosje: Mbetëm në Prokurori duke kallëzuar për keqpërdorimet e Ramës

Prishtina

Vetëvendosje: Mbetëm në Prokurori duke kallëzuar për keqpërdorimet e Ramës

Më: 6 gusht 2024 Në ora: 20:23
Gëzim Sveçla

Një mal shkelje ligjore e procedurale bëri Përparim Rama gjatë qeverisjes së kryeqytetit në vitin 2023, sipas raportit të fundit të publikuar nga Auditori i Përgjithshëm.

Në vargun e këtyre shkeljeve bëjnë pjesë ndryshimet e buxhetit për projekte kapitale të cilat arrijnë vlerën e mbi 2.2 milionë eurove që Rama i bëri krye në vete, pa i kaluar fare në Kuvendin Komunal, raporton Kiks Kosova.

Auditori alarmoi po ashtu edhe për dhënien e subvencioneve OJQ-ve të ndryshme, pa pasur paraprakisht një thirrje publike.

E këto gjetje, sipas Gëzim Sveçlës nga Vetëvendosje e kryeqytetit, janë dëshmi që avazi i vjetër i shkeljeve të Ramës po vazhdon edhe sivjet.

 “Bëhet fjalë për tetë pagesa në të cilat është tejkaluar vlera e paraparë që është ndarë në Kuvend. Mirëpo, këtu gjithashtu ka raste kur është bërë edhe ndryshimi i kategorive buxhetore, gjithashtu pa e pyetur Kuvendin, që është shkelje e Ligjit për Buxhetin”, tha ai.

Në intervistën e tij për emisionin Kiks Kosova, Sveçla pohoi se kjo parti ka dorëzuar dhjetë kallëzime penale për shkeljet të cilat pretendojnë se ka bërë i pari i Prishtinës.

“Ne ngelëm duke dërguar kallëzime penale në Prokurori për qeverisjen e Përparim Ramës, tash e sa kohë. Është obligim i Auditorit që ato shkelje të cilat janë evidentuar e të cilat janë përsëritur, nëse ka material, e unë besoj që ka edhe bazë ligjore për këtë, t’i dërgojë në Prokurori”, shtoi Sveçla. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat