Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, dr Izet Sadiku, ka thënë se kryeqyteti këtë vit i ka kushtuar rëndësi të veçantë situatës me temperatura të larta, duke i vënë në dispozicion ekipet mjekësore sa më afër qytetarëve.
"Gjatë fazave që ka pasë temperatura të larta ne kemi nxjerrë një ekipe mjekësore në shesh, meqë sheshi Nëna Terezë është sheshi ku ka prekuentim më të madh të qytetarëve, dhe njëkohësisht ka qenë edhe një ekip i mjekësisë familjare i cili ka dhënë këshilla dhe sygjerime, i ka bërë matjen e parametrave vital. Përveq kësaj kemi nxjerrë një ekip të urgjencës, i cili vazhdimisht ka qenë aty afër me intervenu menjëherë dhe me dhënë shërbimin adekuat", tha mes tjerash Sadiku.
Tutje, Drejtori i Shëndetësisë tha se fluksi i qytetarëve që po kërkojnë shërbime në qendrat e mjekësisë familjare është rritur ndjeshëm këto ditë, sidomos rastet me vjellje e barkqitje.
Ai kërkoi mirëkuptimin e qytetarëvë që në disa raste kanë pritur më shumë për shërbime, por sipas tij numri i vogël i stafit dhe numri i madh i pacientëve e sjell këtë situatë.
Një nga problemet që kanë Qendrat e Mjekësisë Familjare, sipas Sadikut është mungesa e barnave.
"Ne jemi duke e mbulu komplet me terapi shërbimin, shumicën e terapisë e kemi, edhe pse ajo terapi nuk mbulohet nga Ministria e Shëndetësisë, edhe pse ajo e ka obligatim, ne jemi duke shpenzu fondin tonë për të blerë terapi nga buxheti i komunës. Listën esenciae duhet me mbulu Ministria e Shëndetësisë, pjesën e pa mbuluar e blejë vet", tha Sadiku.
Ai tha se vitin e kaluar vetëm 40-50 përqind e barnave të listës esenciale janë siguruar nga MSH-ja.
E duke folur për COVID-19, Sadikut tha se ky virus është prezent dhe do të jetë gjithmonë jo vetëm në Kosovë por në tërë botën, por sipas tij është në kuadër të suazave të menaxhueshme.
Duke folur për virusin e Nilit Perendimor, Drejtori i Shëndetësisë tha se në Kosovë nuk është sëmundje që duhet të shkaktojë panik.