Policia në Prishtinë ka njoftuar se nga 1 gushti deri më sot janë realizuar kontrolle në disa lokacione të ndryshme në rajonin e Prishtinës.
Gjatë kësaj kohe janë sekuestruar 13 armë zjarri që dyshohet se janë përdorur në ahengje familjare.
Lidhur me këto raste, 12 persona janë arrestuar, prej tyre pesë janë dërguar nnë mbajtje.
Njoftimi i plotë:
Sekuestrohen 13 armë zjarri në ahengje familjare
Nisur nga fakti se akoma është prezent si dukuri, përdorimi i armëve të zjarrit në ndeja dhe ahengje të ndryshme, strukturat operative rajonale të policisë po vazhdojnë punën për parandalimin e kësaj dukurie.
Policia e Rajonit të Prishtinës, konform detyrimit ligjor që ka, obligohet që në rastet e tilla të filloj kërkimin për armët e përdorura në rast, të ndaloj kolonat e dasmorëve për t’i kontrolluar ato dhe personat e dyshuar dhe në situata të caktuara të ndërmarrë edhe bastisje në shtëpitë ku dyshohet për raste të tilla.
Që nga data 1 gusht deri sot, kontrolle të tilla janë realizuar në lokacione të ndryshme të Rajonit të Prishtinës, ku janë sekuestruar 13 armë zjarri të cilat dyshohet të jenë përdorë në ahengje familjare.
Lidhur me rastet janë arrestuar 12 persona prej të cilëve 5 janë dërguar në mbajtje.
Andaj mbështetur mbi këtë bazë, apelojmë të gjithë qytetarët që tu shmangen veprimeve të tilla për arsye të sigurisë së tyre, sigurisë së të tjerëve dhe ceremonitë festive t’i kalojnë pa ndonjë incident.