Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama bashkë me drejtoreshën e Arsimit në këtë komunë, Jehona Lushaku-Sadriu kanë vënë gurthemelin e objektit të shkollës fillore të mesme të ulët në lagjen "Mati 1". Kjo shkollë parashihet që të ketë kapacitet për pranimin e mbi 700 nxënësve me një hapësirë prej 4 mijë e 800 metra katror, e cila pritet të funksionalizohet në korrik të vitit 2025.
Kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama tha se ndërtimi i kësaj shkolle është më interes të madh për kryeqytetin për shkak se e ulë ngarkesën nëpër shkollat e tjera. Ai shtoi se kjo shkollë do të ndihmojë në shtyrjen përpara të ideve për transformimin e sistemit arsimor.
Rama potencoi se kostoja e ndërtimit të tri shkollave, përfshirë atë në “Sofali” që do të fillojë javën e ardhshme dhe ajo në lagjen “Qëndresa” është mbi 15 milionë euro. Derisa tregoi se është investim i sektorit privat e që më pas komuna do të kthejë mjetet brenda disa viteve.
Rama: Kapaciteti i kësaj shkolle është 720 nxënës
“Përuruam fillimin e ndërtimit të shkollës së re të ‘Matit 1’. Kjo është një ndër tri shkollat të cilat i kemi kontraktuar me procesin e partneritetit publiko-privat të cilat në bazë të kontratës duhet të përfundojnë në vitin e ardhshëm në korrik. Është një shkollë me interes të madh për kryeqytetin…Për arsye se e shliron, i jep një ndihmë të madhe edhe shkollës ‘Pavarësia’ dhe ‘Ismail Qemali’ e po ashtu na ndihmon edhe neve që ta shtyjmë përpara idenë të cilën edhe e kemi filluar tash atë të transformimit të kryeqytetit të sistemit arsimor me shkolla tërëditore në të gjithë kryeqytetin. Edhe ky është një hap i madh që të vazhdojmë me transformim. Prej shtatori veçse do të fillojmë me 5 shkolla tërëditore…Kapaciteti i kësaj shkolle është 720 nxënës. 4 mijë e 800 metra kator është e madhe shkolla. Investimi, ne veçse e kemi nënshkruar kontratën për një vit e gjysmë, është partneritet publiko-privat, i gjithë investimi është prej sektorit privat, ndërsa në momentin kur edhe shkolla përfundon, bëhet, funksionalizohet fillojmë të paguajmë mirëmbajtjen…Tri shkollat tani që po i bëjmë, shkollat ku kjo i ka 720 nxënës, ajo që do të fillojmë ndërtimin në ‘Sofali’ javën e ardhshme i ka 680 nxënës. Ndërsa tjetra që veçse e kemi filluar para një vit e ca në lagjen ‘Qëndresa’ i ka njëmijë nxënës…Shifra është 15.4 milionë është për tri shkollat”, tha Rama.
Ndërkaq, drejtoresha e Arsimit në komunën e Prishtinës, Jehona Lushaku-Sadriu tha se kjo shkollë i përmbushë të gjitha standardet evropiane për nga ndërtimi dhe dizajni për mësim tërëditor.
Ajo theksoi se shkolla në “Mati 1” për nga kapaciteti parashihet që t’i përmbush të gjitha kërkesat e kësaj lagje, derisa shtoi se është në funksion të ngritjes së cilësisë arsimore.
Lushaku-Sadriu: Kjo shkollë i përmbush të gjitha standardet evropiane
“Kjo shkollë i përmbush të gjitha standardet evropiane dhe për nga ndërtimi, dizajni për mësim tërëditor. Të jetë një shkollë për klasat e para deri në të pestat. Për shkak se do t’i shkarkojë shkollat e kryeqytetit ‘Ismail Qemali’ dhe ‘Pavarësia’, në ndërkohë që do ta kemi edhe një shkollë në Mat që do të mund ishte gjashtë deri nëntë dhe si lagje do të kompletohej me shkollë fillore dje të mesme të ulët. Për nga kapaciteti ne parashohim që kjo t’i përmbush të gjitha kërkesat e kësaj lagje dhe është në funksion të ngritjes së cilësisë, sepse vetë modeli garanton një organizim të tillë që rezulton në cilësi arsimore”, potencoi Lushaku-Sadriu.
Përveç kësaj, Lushaku e quajti të paaftë ministrinë e Arsimit për mosfurnizimin e nxënësve me libra shkollor. Ajo tha se në librari nuk ka libra të botuara për nxënësit, sepse nuk kanë qenë të informuara me kohë.
Lushaku-Sadriu: Qeveria e paaftë të furnizojë fëmijët me libra
“Për herë të dytë Kosova do të këtë metodë tjetër të furnizimit me libra çfarë ka qenë obligim ligjor i ministrisë për t’i siguruar librat edhe kjo flet për paaftësinë e kësaj qeveri për t’i furnizuar fëmijët me libra. Ata ua kanë hedhur përgjegjësinë prindërve. Sot nëse shkoni në librari nuk ka libra të botuara. Sepse edhe shtëpitë botuese nuk kanë qenë të informuam me numrin që duhet t’i bëjnë. Prandaj sot Kosova disa prindër kanë filluar të subvencionohen por nuk ka libra për t’i blerë, kjo është paradoksale dhe flet për paaftësi të ministrisë së Arsimit”, tha Lushaku.