Që katër muaj pa asfalt, banorët në Arbëri paralajmërojnë bllokim të rrugës

Prishtina

Që katër muaj pa asfalt, banorët në Arbëri paralajmërojnë bllokim të rrugës

Më: 28 gusht 2024 Në ora: 20:33
Pamje nga vendi i ngjarjes

Tash e katër muaj janë ndërprerë punimet për shtrirjen e asfaltit në rrugën “Arben Xheladini” në Arbëri të Prishtinës. Banorët e kësaj zone ankohen se kompania e kontraktuar ende nuk e ka shtruar as shtresën e parë të asfaltit, ndërsa nuk kanë përjashtuar mundësinë e protestave nëse nuk ndërmerren masa.

Makineria e rëndë nuk është përdorur tash e disa muaj.

Ndonëse janë rreth 20 metra rrugë për t’u punuar, ende asgjë nuk ka përfunduar.

E çdo lëvizje e makinave po shkakton këtë pluhur e cila i ka dëmtuar edhe fasadat e shtëpive.

Mospërfundimi i punimeve ka shkaktuar zemërim te qytetarët prishtinas.

Një banor i kësaj zone tha për televizionin se janë ankuar shumë herë në komunë për çka kanë dorëzuar edhe peticion, derisa nuk përjashtuan edhe protestat me bllokim rrugësh.

“Po qysh nuk po na pengon qe 3-4 herë kena bërë ankesë në komunë nuk vjen askush me pa gjendjen, marre duhet me ju ardh, 20 metra rrugë mos me qenë në gjendje me shtru me dy punëtorë e kisha shtru deri tash. Krejt ambasadorët kalojnë këndej marre me pa dikush kështu, i kanë dëmtu me fasada, me pemë, me krejt”, tha një qytetar.

“Kena bërë peticion, e kena lajmëru komunën, do ta bllokojmë krejt rrugën”.

Por, sipas Donat Lushakut, zëdhënës në komunën e Prishtinës, ripunimet për shtrirjen e dy shtresave të asfaltit pritet të fillojnë javën e ardhshme.

“Rruga siç e përmendët edhe ju, “Arben Xheladini” e cila gjendet në ish Arbëria apo ish Dragodani, sipas informacioneve që kemi edhe nga Drejtoria e Investimeve Kapitale por edhe operatori ekonomik, do të fillojë të shtrohet shtresa e parë gjatë javës së ardhshme, me idenë që brenda shtatorit të përmbyllet krejt e njëjta, pra të jenë dy shtresa ka pas vonesa dhe janë të mirëkuptueshme ankesat e banorëve sepse ka shkaktuar disa telashe atje”, tha Lushaku.

Drejtoria e Investimeve Kapitale e komunës së Prishtinës u njoftua për këtë neglizhencë të punimeve, pasi që televizioni u interesua për rastin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat