Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, drejtoresha e arsimit në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Dr. Jehona Lushaku Sadriu, ka postuar në Facebook një urim për nxënësit.
Ajo ndër të tjera ka theksuar se “Ndërsa fillojmë një vit të ri shkollor, kam kënaqësinë që në emër të të gjitha shkollave të Kryeqytetit t’i bëj një urim të përzemërt secilës nxënëse e nxënës që sot fillon shkollën. Një urim të veçantë për nxënësit e klasave të para, që do të fillojnë rrugën e dijes”.
Në vazhdim mund është postimi i plotë i dr. Lushaku Sadriu.
Të dashur prindër dhe nxënës,
Ndërsa fillojmë një vit të ri shkollor, kam kënaqësinë t’i bëj një urim të përzemërt secilës nxënëse e nxënës që sot fillon shkollën. Në emër të të gjitha shkollave të Kryeqytetit, dëshiroj të shpreh entuziazmin e madh që ndiejmë teksa presim që fëmijët të bashkohen me ne, për një vit që premton të jetë plot suksese dhe përvoja të jashtëzakonshme.
Menaxhmentet e shkollave, mësimdhënësit e stafi i DKA-së me përkushtim e dashuri kanë punuar për të përgatitur një mjedis dinamik e pasurues, ku çdo nxënës mund të inspirohet e avansohet. Personalisht kam qenë e përkushtuar për të nxitur një atmosferë mbështetëse dhe gjithëpërfshirëse, që jo vetëm siguron cilësi arsimore për fëmijët, por gjithashtu ushqen rritjen shumëdimensionale të tyre.
Një urim i veҫantë për nxënësit e klasëve të para, që do fillojnë rrugën e dijes!
Ky vit mësimor ndryshe nga vitet e tjera është i veҫantë, pasi po e fillojmë reformën arsimore në Kryeqytet. Kjo reformë ka për qëllim ri-strukturimin e shkollave duke i ndarë në ciklet e klasëve të ulëta (1-5) dhe në ciklet e klasëve të larta (6-9), në ndërtesa të ndara dhe duke e krijuar mësimin tërëditor për klasët 1-5.
Këtë shtator do të nisim mësimin tërëditor me pesë shkolla, nga të cilat më 2 shtator fillojnë: “Shkolla e Gjelbër” e Shkolla “Model-Qamil Batalli”; ndërsa më 30 shtator fillojnë: “Faik Konica”,“Xhemail Mustafa” dhe “Nazim Gafurri”.
Me këtë rast do të dëshiroja t’u bëja thirrje të gjithë prindërve për bashkëpunim dhe durim në rrugëtimin e avansimit të shkollave tona. Ne mund ta bëjmë këtë vit shkollor një përvojë të paharrueshme dhe të suksesshme për të gjithë.