4 ditë prej fillimit të mësimit, shkollat në kryeqytet me probleme

Prishtina

4 ditë prej fillimit të mësimit, shkollat në kryeqytet me probleme

Më: 5 shtator 2024 Në ora: 16:41
Foto ilustrim

Vetëm pas katër ditësh të fillimit të vitit të ri shkollor 2024/25, një shkollë fillore e mesme e ulët në kryeqytet ia fillon mësimit me vetëm dy orë mësimore për klasat e ulëta.

Në SHFMU “Ismail Qemaili” sot është zhvilluar ora mësimore me vetëm dy orë. Kjo për shkak se është ndalur uji në shkollë dhe drejtoria e shkollës ka njoftuar në mëngjes se për shkak të higjienës dhe shëndetit nxënësit duhet liruar më herët.

Ky njoftim ka shkuar edhe për klasat e ulëta që zhvillohet mësimi pasdite, por prindërit u acaruan momentin që drejtoria e shkollës njoftimet i ndryshonte minutë pas minute.

Shumica prej prindërve kanë dërguar nxënësit pa libra dhe pa ushqim, e madje ata që ishin në orar të punës nuk kishin mundësi të shkonin të merrnin fëmijët e tyre dhe kanë lajmëruar mësimdhënësit se nuk do t’i dërgojnë në shkollë.

Drejtoria e shkollës ka njoftuar se për shkak që pas pushimit të gjatë fëmijët shfrytëzojnë banjat, është e pamundur mbajtja e procesit mësimor. Gjithashtu, ka rekomanduar prindërit të mos lejojnë nxënësit t’i përdorin banjat.

“Për shkak të mungesës së ujit në ndërrimin e parë (paradites), sot më 05.09.2024, nxënësit do të lëshohen në ora 9:05. Sqarim: për shkak se pas pushimit të gjatë fëmijët e shfrytëzojnë banjën, prandaj është e pamundur mbajtja e procesit mësimor dhe me qëllim të ruajtjes së shëndetit dhe mirëqenies së nxënësve! Ky njoftim po ashtu vlen edhe për ndërrimin e pasdites (0-5) në rast se nuk vjen uji deri ora 12:00 edhe nxënësit e pasdites do të mbajnë dy orët e para edhe pas pushimit të gjatë duhet të lirohen. Mos i lejoni nxënësit që t'i përdorin banjat gjatë daljes,” kanë njoftuar mësuesit prindërit përmes kësaj komunikate.

Pas këtij njoftimi, drejtoria ka dërguar një komunikatë tjetër, vetëm 20 minuta para se të fillojë mësimi, duke thënë se uji ka ardhur dhe tani procesi mësimor për ndërrimin e dytë do të vazhdojë me orar të rregullt.

“Për shkak të ardhjes së ujit, procesi mësimor për ndërrimin e dytë vazhdon me orar të rregullt,” ka lajmëruar drejtoria.

Ndërkohë, zëdhënësja e kompanisë rajonale “Ujësjellësi”, Arjeta Mjeku në një përgjigje me shkrim rreth orës, 12:47 ka theksuar se ka pasur disa probleme me pompa dhe ka filluar të stabilizohet furnizimi me ujë.

“Furnizimi me ujë ka filluar te stabilizohet, pasi qe kishim ca probleme ne pompa. Tash jemi duke furnizuar me kapacitet maksimal dhe shpejt stabilizohet, brenda orës”, ka thënë Mjeku për KP.

Ekipi i KosovaPress, ka vizituar shkollën “Ismail Qemaili” dhe ka tentuar të merr një përgjigje nga drejtoresha e shkollës, por e njëjta nuk ka dëshiruar të prononcohet.

Edhe pse disa nga prindërit u ankuan dhe treguan se kanë dërguar fëmijët pa libra dhe pa ushqim, të njëjtin nuk dëshiruan të flasin. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat