BERZH rikonfirmon mbështetje për reformimin e transportit urban dhe blerjen e autobusëve të rinj

Prishtina

BERZH rikonfirmon mbështetje për reformimin e transportit urban dhe blerjen e autobusëve të rinj

Më: 10 shtator 2024 Në ora: 17:57
Foto nga vendi i ngjarjes

Sot, kryetari i Kryeqytetit Përparim Rama, mbajti takim me përfaqësuesit e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Bordin e Ndërmarrjes Publike Komunale ‘Trafiku Urban’. Temë kryesore e takimit ishte rrjedha e reformës së trafikut urban në Kryeqytet.

Gjatë takimit BERZH rikonfirmoi përkushtimin për të mbështetur reformimin e transportit urban. Po ashtu, BERZH rikonfirmoi se procesi i blerjes së 30 autobusëve të rinj në Kryeqytet NUK ËSHTË PEZULLUAR. Palët u dakorduan të punojnë së bashku për të mbështetur NPK “Trafiku Urban” për të tejkaluar vështirësitë në përmbushjen e kritereve për blerjen e 30 autobusëve të rinj. Jemi të bindur se së shpejti do të vazhdojmë me blerjen e autobusëve.

Po ashtu, asistenca teknike e BERZH-it, brenda projektit për riorganizimin e linjave të autobusëve, ka nisur në fillim të shtatorit. Nga viti i ardhshëm, do të kemi një rrjet më efikas të transportit, linja të reja për autobusë, dhe korridore të dedikuara për autobusë në qytet, përfshirë rritjen e numrit të autobusëve.

Në këtë kontekst, u pajtuan që kontratat me operatorët privat të autobusëve, për modernizim të flotës së tyre dhe përmirësim të shërbimeve të transportit të nënshkruhen gjatë muajit shtator. Kjo do të sjellë përfitime të shumta për qytetarët pasi do të bëhet fuzionimi i shërbimit publik me privat, qytetarët do të përdorin një biletë të vetme pavarësisht operatorit privat apo publik nga viti i ardhshëm.

I lusim qytetarët që të injorojnë dezinformatat që kanë qarkulluar kinse BERZH ka ndërprerë mbështetjen për reformimin e transportit urban, përfshirë blerjen e autobusëve të rinj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat