Fillon bojkotimi i mësimit nga klasët e dyta në shkollën “Dardania” në Prishtinë, prindërit kërkojnë orar më të përshtatshëm

Prishtina

Fillon bojkotimi i mësimit nga klasët e dyta në shkollën “Dardania” në Prishtinë, prindërit kërkojnë orar më të përshtatshëm

Më: 16 shtator 2024 Në ora: 10:20
Foto ilustrim

Nxënësit e klasëve të dyta në shkollën “Dardania”, në Prishtinë kanë nisur bojkotimin e mësimit për shkak të pakënaqësive që kanë me orarin e vendosur për vitin 2024/25, orar ky që fillon 15:00 deri në 18:25.

Të dielën, prindërit e nxënësve paralajmëruan se nuk e pranojnë orarin e ri të vendosur, dhe se nga dita e hënë do të bojkotojnë procesin mësimor derisa të bëhet një orar i përshtatshëm për nxënësit.

Besarta Rrahmani, kryetare e grupit të prindërve në një deklaratë për Telegrafin, ka konfirmuar se nga sot ka nisur bojkotimi i procesit mësimor.

“Ne sot do ta bojkotojmë mësimin, nuk do t’i dërgojmë fëmijët në shkolla”, tha ajo.

Ndryshe, në reagimin e prindërve theksohej se “orari është tejet i papërshtatshëm për fëmijët tanë të vegjël, pasi çrregullon tërësisht dinamikën e tyre ditore”.

Ne besojmë fuqishëm se ky orar për nxënës të moshës 7-8 vjeç nuk e merr parasysh interesin më të mirë të fëmijëve tanë. Ndërsa një orar i tillë mund të jetë i pranueshëm në situata të jashtëzakonshme, Kosova dhe sistemi ynë arsimor nuk po kalojnë nëpër ndonjë periudhë të tillë. Prandaj, ne, prindërit e nxënësve të klasës II/4, kemi vendosur unanimisht të bojkotojmë procesin mësimor nga e Hëna date 16.09.2024, deri sa të na ofrohet një orar më i përshtatshëm për fëmijët tanë”, vijon reagimin i prindërve”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat