Premtimet në fushatën e 2021-ës, si kandidat për prefekt të kryeqytetit Përparim Rama, i pati me bollëk.
Zotimet e tilla të Ramës, nuk u bënë realitet në këto tri vite mandat, kësi fati duket se patën edhe shumë premtime tjera, të paktën për opozitën, që thonë se nga 206 premtimet për një “Prishtinë të Përjetimeve”, prefekti i kryeqytetit, i realizoi hiç më shumë se 43 nga to. Për Lëvizjen Vetëvendosje, mosrealizimi i premtimeve të kryetarit Rama, nuk është diçka e habitshme, meqë sipas tyre ekzekutivi prishtinas ka pak punë e më shumë llafe.
Pranvera e sivjetme, ishte koha që u premtua nisja e punimeve për nënkalimin “Agim Ramadani”, në emër të asaj që do të lehtësonte trafikun në zonën tek kuvendi, komuna e çarshia e vjetër.
Rrugës për implementim ky projekt u pezullua në fazën e tenderimit, për me tepër, pushteti lokal pa marr aprovimin e Ministrisë së Kulturës e shpalli këtë tender në vlerë prej gjashtë milionë eurosh, ngase ky projekt shtrihet në zonën e vjetër të kryeqytetit. Edhe projekti për ndërtimin e sheshit “Xhorxh Bush”, në vlerë prej 18.4 milionë euro, që u premtua se do të tenderohet në shkurtin e sivjetmë, gjë e cila nuk ndodhi deri në shtator, u pezullua si rezultat i ankesës së parashtruar nga një operator ekonomik në Organin Shqyrtues të Prokurimit.
Lidhur me këtë çështje, rishikim dhe hetim të tenderit kërkoi edhe INPO, organizata që monitoron punën e ekzekutivit lokal. Për këtë organizatë, vërejtjet mbi punën e qeverisjes në Prishtinë, qëndrojnë në krejt projektet madhore. Në bazë të këtyre të të gjeturave, INPO thekson se Përparim Rama, zor se do të qeverisë edhe për katër vjet të tjera, kryeqendrën e vendit.