Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka vazhduar shpërndarjen e ujit të pijshëm përmes autobotëve, pas ngritjes së nivelit të manganit në ujin që vjen nga Liqeni i Badovcit.
Sipas njoftimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), niveli i këtij elementi kimik është rritur sërish, duke rrezikuar cilësinë e ujit për konsum.
KRU Prishtina ka vendosur autobotë në disa pika të kryeqytetit dhe zonave përreth, përfshirë rrugët Muharrem Fejza, Aleksandër Dubečka në Graçanicë, Jakov Xoxa te rruga B, Llapnasellë, banesat Pedalishte dhe Bregu i Diellit.
Po ashtu, autobotë janë vendosur edhe në Hajvali pranë SHFMU “Afrim Gashi” dhe Badoc te Parku i Lodrave. Një autobot shtesë është vendosur edhe në rrugën Xheladin Hana pranë banesave të bardha në Prishtinë.
IKShPK ka reaguar pas një njoftimi të marrë më 2 tetor 2024 nga Kryeshefi Ekzekutiv i KRU “Prishtina” lidhur me ngritjen e nivelit të manganit në ujin e Liqenit të Badovcit dhe atë të trajtuar.
Më 3 tetor, ekipi i IKShPK-së ka marrë 16 mostra të ujit nga zona PR03, e cila furnizohet nga Impianti i Trajtimit të Ujit në Badovc.
Nga rezultatet laboratorike, 15 mostra kanë rezultuar me tejkalim të standardit të lejuar për mangan, ku vlerat variojnë nga 0.062 mg/L deri në 0.250 mg/L, ndërsa norma e lejuar sipas Udhëzimit Administrativ Nr. 10/2021 është 0.05 mg/L.
Sipas IKShPK-së, ky fenomen i ngritjes së manganit është një dukuri e përsëritur, që zakonisht ndodh gjatë ndryshimit të stinëve.
Një situatë e ngjashme ishte regjistruar edhe në tetor të vitit të kaluar, kur qytetarët u paralajmëruan të mos konsumojnë ujin e pijshëm nga Liqeni i Badovcit.