Fillimin e ndërtimit të Spitalit të Prishtinës po e “zvarrit”, Ministria e Punëve të Brendshme, prej të cilit dikaster tash e tre muaj Komuna e Prishtinës, është në pritje të miratimit të planit të këtij projekti.
Derisa për këtë spital, udhëheqësit e kryeqytetit kanë ndarë mjete buxhetore por edhe hapësirën e ndërtimit, ende nuk është ndërmarrë asnjë hap tjetër në këtë drejtim.
E ndërtimi i spitalit të kryeqytetit po konsiderohet si nevojë imediate për prishtinasit por edhe mundësi për uljen e numrit të pacientëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Drejtori i Shëndetësisë në komunën e Prishtinës, Izet Sadiku duke e konsideruar si projekt të rëndësishëm spitalin e qytetit, thekson se tash e tre muaj janë në pritje të miratimit të planit të këtij projekti nga MPB, por këta të fundit nuk kanë dhënë asnjë përgjigje.
Sadiku këto vonesa i konsideron të paarsyeshme.
Sadiku: Tash e tre muaj e kemi dorëzuar projektin, nuk kemi marrë përgjigje nga MPB
“Kemi ndarë tokën që është obligim i Prishtinës, kemi ndarë hapësirën ku do të ndërtohet spitali, kemi dhënë rekomandimet tona për nevojat që ka Prishtina për këtë çështje dhe realisht kemi ndarë edhe buxhet dhe para dy ose tre muajve diku është dorëzuar projekti, janë dhënë kushtet e punës të projektit dhe ne kemi kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, ku është dorëzuar projekti me na e dorëzuar projektin, por nuk kemi asnjë reagim. Sivjet i kemi pas 2 milionë e 800 mijë euro tash shkojnë në suficid për shkak se nuk kemi projekt me filluar ne, jemi duke e pritur dorëzimin e projektit nga ministria i cili për mua është e paarsyeshme me qëndruar projekti në sirtarët e ministrive, ndërsa ne kemi mundësinë me filluar dhe nuk ka filluar ende ndërtimi i tij”, thotë drejtori i Shëndetësisë në kryeqytet.
I pari i shëndetësisë prishtinase, Izet Sadiku shprehu gatishmërinë e komunës për të nis ndërtimin e këtij institucioni shëndetësor.
Sadiku: Këtë vit jemi të gatshëm të filloj ndërtimin e këtij spitali
“Ne jemi të gatshëm me filluar këtë vit, ne tash nëse na dorëzohet projekti si Prishtinë kemi buxhet, menjëherë mund ta hapim tenderin për ndërtim, pastaj me rrit buxhetin, por ne nuk guxojmë me planifikuar buxhet të lartë me lënë pa, e pas projektin sepse shkon në suficid, që 2 vite na shkon në suficid”, shprehet Sadiku.
Kryetarja e Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës, Tevide Imeri shprehet se është imediate që Prishtina të ketë spitalin e tij.
Imerimosndërtimin e spitalit të kryeqytetit e konsideron dështim të politikës shëndetësore.
Imeri: Spitali i Prishtinës nevojë imediate për Prishtinës
“Spitali jo i rëndësishëm, është nevojë imediate të gjitha regjionet kanë spital regjional dhe ju e dini qasjen në QKUK sa e vështirë është dhe për një zorrë qorre që thotë populli është mbingarkesë për QKUK, por edhe për qytetarin është tepër e rëndë sepse duhet të pres në radhë.. Komunat kaq të vogla, regjionet kaq të vogla e kanë një spital dhe një spital...Spitali i Prishtinës është domosdoshmëri, bile konsideroj që është i vonuar që është bërë kaq gjatë dhe nuk kanë marr iniciativë me pas këtë spital. A kanë vullnet apo nuk kanë unë nuk e di megjithatë e di që ka iniciativë prej komunës, por Qeveria duhet patjetër me ndihmua komunën e Prishtinës sepse me të vërtetë është nevojë e pazëvendësueshme , absolutisht nuk e zëvendëson spitalin regjional të Prishtinës. Nuk e kuptoj pse e kanë lënë gjithë këtë kohë kështu kur nuk janë kërkuar kumedit çfarë investimesh”, theksoi ai.
Ndërtimi i Spitalit të Prishtinës do të mundësonte nivel më të lartë të shërbimeve shëndetësore, po vlerësojnë edhe nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës.
Drejtori i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Osman Hajdari thekson se ky institucion shëndetësor ulë fluksin e pacientëve në QKUK.
Hajdari: Spitali i Prishtinës në masë të madhe do ta lironte QKUK
“Natyrisht që është një fluks i madh si në sistemin e ambulancës specialistike ku prej QKMF-ve në këtë rast prej sistemit primar shëndetësor referohen direkt në terciare, është ngarkesë dhe konsideroj që natyrisht që kishte lehtësua dhe së paku kish pas një lloj filtri të pacientit të përcjelljes…..Në masë të madhe e kishte liruar së paku çështjen e referimeve dhe një lloj si të thuash kontrolli mbi pacientët për të pasur nivel më të lartë të shërbimeve”, theksoi drejtori i QKUK-së.
KosovaPress ka dërguar pyetje në Ministrinë e Punëve të Brendshme lidhur me planin e projektit të spitalit të kryeqytetit, por kjo ministri nuk ka kthyer përgjigje deri në momentin e publikimit të shkrimit.
E nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë për KosovaPress, se ndërtimi i Spitalit të Prishtinës ka bazë ligjore në Ligjin për Kryeqytetin e Republikës së Kosovës.
“Për çështjet të tjera, luteni t’i drejtoheni Komunës së Prishtinës, pasi që MSh nuk ka qenë pjesë e këtij aktiviteti”, thuhet në përgjigjen e MSh-së.
Me Ligjin për Kryeqytetin i miratuar në vitin 2018, Prishtina ka të drejtë të ketë Spitalin e qytetit.
Në qershor të vitit 2022, ishte prezantuar plani i fizibilitetit për Spitalin e Përgjithshëm të Prishtinës nga Komuna e Prishtinës, madje kjo komunë ka caktuar edhe lokacionin dedikuar ndërtimit të objektit të Spitalit të Kryeqytetit.