Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj në një intervistë, paralajmëroi se nëse buxheti për vitin 2025 nuk votohet sipas afateve ligjore kryeqytetit do të ketë krizë buxhetore.
Zogaj ka sqaruar se me mosvotimin e buxhetit deri në dhjetor Prishtina mund të humbasë një pjesë të fondeve që vijnë nga Ministria e Financave dhe se Kuvendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
“Është e saktë që kishim dy seanca të jashtëzakonshme për ta votuar buxhetin e vitit 2025, por të dy seancat dështuan në mungesë të kuorumit, sepse partitë opozitare Vetëvendosje dhe PDK lëshuan sallën dhe si rezultat e pamundësuan votimin e buxhetit. Tani jemi në muajin tetor dhe nëntor që janë muajt kyç për ta votuar buxheti, për ndryshe ne kemi kaluar në afatin shumë të rëndësishëm që ishte 30 shtatori i vitit 2024”.
“Kemi edhe pak kohë përpara për ta votuar buxhetin, por nëse nuk e votojmë deri në dhjetor atëherë veçse hymë në një krizë buxhetore të Prishtinës. I ka dy pasoja, i pari është humbim një pjesë të fondeve mundemi të vijmë deri tek ai vendim nga Ministria e Financave dhe e dyta nëse nuk votohet buxhetin edhe më tutje, atëherë mundet të shkoj asambleja në zgjedhje të parakohshme”, ka thënë Zogaj.
Ai shtoi se humbja e shumicës në Kuvendin Komunal i sjellë problem Komunës së Prishtinës. Sipas tij, vetëm qëndrimi i PDK-së dhe VV-së në sallë e mundëson votimin e buxhetit për vitin tjetër.
“Nuk mendojmë që ka qenë gabimi jonë, në fakt PDK-ja ka lëshuar koalicionin, ne normalisht jemi të vetëdijshëm që humbja e shumicës në Kuvend Komunal, sjellë këto probleme që po shohim ne sot. Ne jemi në tentim të krijimit të shumicës në vazhdimësi, kemi një marrëveshje me AAK-në por akoma nuk jemi në atë shumicën politike që na duhet në Kuvendin Komunal, andaj kemi nevojë për mbështetje prej partive opozitare, Vetëvendosje dhe PDK për ta votuar buxhetin”.
“Vetëm me qëndrim të tyre në sallë ne e votojmë buxhetin, andaj thirrja jonë për ta është kur të ulemi në tavolinë të diskutojmë jemi të hapur për kërkesat e tyre për projektet të caktuara. Kemi qenë të hapur në vazhdimësi të gjejmë një gjuhë të përbashkët dhe ta votojmë buxhetin”, tha ai.
Nënkryetari theksoi se qasja e nivelit qendror ndaj kryeqytetit ka qenë totalisht qasje bllokuse dhe nuk ka pasur mbështetjet financiare.
Madje, Zogaj deklaroi se buxheti shtesë është ndarë vetëm për komunat e udhëhequra nga Lëvizja Vetëvendosje, kurse për komunat e tjera nuk është ndarë asnjë cent shtesë, raporton EO.
“Qasja e qeverisjes qendrore ndaj kryeqytetit është totalisht është qasje bllokuse, më këtë veçse jemi bindur në kohët e fundit për arsye se nuk na ndihmojnë në asnjë projekt të Prishtinës, për shembull dje kemi pasur një takim me kryeministrin e Kosovës, ishte një takim shou kryesisht i thirrur nga ai dhe për të pa asnjë rezultat. Pra ai takim nuk ka asnjë rezultat diskutuam për qentë endacak dhe për kontratën kolektive, por vetëm fjalë boshe pa asnjë rezultat. Njëjtë ka qenë qasje në krejt mandatin e tyre, qasje bllokuese kryesisht dhe jemi të bllokuar te nënkalimi i Agim Ramadani dhe shumë projekte tjera. Po shihen bllokada edhe te rasti i bllokimit të buxhetit, andaj shishet qartë që nuk ka bashkëpunim mes Qeverisë dhe kryeqytetit”, theksoi nënkryetari.
“Ne nëse i shohim numrat i shohim edhe prioritetin e kësaj Qeverie, buxheti shtesë që janë ndarë për komunat, janë kryesisht janë të ndara për komunat ku qeverisë Vetëvendosje, Shtimes i është dhënë një buxhet i lartë, Gjilanit dhe komunave të tjera kur qeverisë Vetëvendosja, kurse në komunat ku qeverisin partitë tjera si LDK dhe PDK, nuk është ndarë asnjë cent shtesë. Kryeqyteti është i të gjithëve është kryeqyteti i Kosovës, ne duhet me pasur një buxhet shtesë për ta përfunduar problemet që i ka kryeqytetit. Buxheti i Prishtinës është buxhet shumë i kufizuar”, deklaroi ai.
Po ashtu, Zogaj ka folur edhe për Lojërat Mesdhetare 2023, ku sipas tij, ka pasur tendencë që të lihet anash kryeqyteti nga ky organizim.
“Kishte një tendencë që me lënë anash kryeqytetin nga organizimi i Lojërave Mesdhetare 2030, por është arritur një marrëveshje tani së fundmi që Lojërat Mesdhetare të organizohen nga një trekëndësh i institucioneve, pra nga Komuna e Prishtinës, Qeveria dhe Komiteti Olimpik. Tani krijohet një organ organizativ i cili do të merret me të gjithë organizmin mesdhetare në këto katër pesë vitet e ardhshme. Nuk rrezikohet jam i bindur që lojërat kanë me ndodhur dhe është një prej ngjarjeve më të mëdha që i ka ndodh jo vetëm Kosovës por të gjithë Ballkanit”, tha Zogaj.
“Besoj që ne do të arrijmë një marrëveshje dhe do ta votojmë buxhetin e Prishtinës, është buxhet zhvillimor i projekteve të mëdha dhe qytetarët e Prishtinës nuk e meritojnë një bllokadë të tillë, andaj bëjë ftesë partive opozitare që të ulemi dhe ta gjejmë marrëveshjen dhe ta votojmë dhe të ecim tutje”, deklaroi ai.