Gushti i 2023-ës solli planin për adoptimin e qenve endacakë në Komunën e Prishtinës. Mirëpo kjo iniciativë dështoi, gjë të cilën edhe komunarët e pohuan vet.
Si opsion i dytë, për zgjidhje u pa qendra për trajtimin e këtyre kafshëve. Por as kësaj, efekti nuk po i shihet – të paktën në oborrin e Qendrës Klinike Universitare, raporton “Ju Flet Prishtina”.
Gjatë javës, cak i një sulmi nga qentë endacakë ishte edhe Drejtori i Klinikës së Neurologjisë, Edmond Komoni, raste këto që kanë ndodhur edhe më parë, si tek stafi shëndetësor dhe familjarët e pacientëve.
Madje edhe Shërbimi Spitalor ka alarmuar disa herë për këtë situatë ku sipas tyre janë të rrezikuar e kërcënuar nga prezenca e qenve endacakë. Këta, mbi shqetësimin që kanë, kërkuan zgjidhje nga krerët e Prishtinës, të cilët thonë se nuk janë përgjegjës për këtë çështje.
Për Lëvizjen Vetëvendosje në kryeqytet, ka një shkak se pse ekzekutivi prishtinas nuk po i largon qentë nga QKUK-ja.
“Dua të potencoj një deklaratë skandaloze të kryetarit Rama, që ka thanë se nuk i largon qentë nga oborri i QKUK-së, se është oborri i qeverisë. Kjo është skandaloze, është e trishtueshme çka thotë një kryetar i Prishtinës, që bën lojëra politike veç të akuzojë nivelin qendror se nuk e mbështet. Por ai që po atakohet më së shumti është qytetari”, është shprehur Besart Krasniqi, asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë.
Por, duket se rastet e netëve të fundit ku pësuan shoqëruesit e pacientëve e bindën përfundimisht komunën që duhet intervenojë, çka bëri që aksionin për largimin e këtyre kafshëve ta nisin nga e premtja.
Mbeturinat e shumta përreth hapësirave të qendrës spitalore po konsiderohen që janë shkaku i një numri kaq të madh të qenve në këtë zonë.
Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci tha se aksioni për largimin e qenve nga oborri i QKUK-së, do të zgjasë dhjetë ditë.