Disa pjesë të kryeqytetit janë në mungesë të ndriçimit publik. Qytetarët kanë treguar ankesat e tyre duke u shprehur të shqetësuar për sigurinë e tyre gjatë natës. Lidhur me dy pjesët pa ndriçim, atë të kampusit universitar dhe të parkut të Arbërisë, nga komuna thonë se procesi ka ngecur si shkak i vonesës nga Organi Shqyrtues i Prokurimit. Ndërkaq, pjesa afër QKUK-së, thotë se do rregullohet brenda vitit.
Është zonë brenda kampusit universitar ndonëse nuk arrihet të shihet.
Gjatë ditës qarkullohet shumë e natën, mungesa e ndriçimit publik është arsyeja e cila detyron qytetarët të marrin rrugë të tjera.
E shqetësime mbi sigurinë e qytetarëve orëve të mbrëmjes, kanë arritur në redaksinë e Tv Dukagjinit.
“Jetoj në lagje të Muhaxherëve e konstant me bie me kalu aty, pasi që është forma më e shkurtër sa herë kthehem nga puna. Mirëpo në momentin që bie terri, nuk mundem të kaloj nga ajo pjesë për shkak se mungon ndriçimi. Unë shumicën e kohës jam pasdite në punë dhe me duhet të kalojë në anën tjetër në mënyrë që të arrijë e sigurt në banesë. Krahas kësaj edhe prezenca e qenve e bënë më shqetësuese këtë pjesë”, shprehet qytetari.
E po të njëjtat shqetësime i janë shprehur televizionit edhe në një pjesë të Arbërisë, atë të parkut.
Ndonëse Parku i Arbërisë vizitohet nga qytetarë të shumtë gjatë ditës, natën thuajse aspak.
E kjo ngase qytetarët ndihen të rrezikuar nga mungesa e ndriçimit në shtegun e ecjes.
Për kampusin, nga komuna thonë se procesi ka ngecur si shkak i vonesës nga Organi shqyrtues i Prokurimit.
”Njëra pjesë e kampusit është e ndriquar nga komuna, edhe pse është përgjegjësi e universitetit mirëpo ne, që mos t’i lëmë qytetarët në terr disa vite më herët…tash është e paraparë edhe pjesa tjetër e kampusit të ndriçohet sepse për shkak të qytetaeëve, s’kemi kohë ta presim kampusin sepse është pjesë për të cilën kemi ankesa çdo ditë. Mirëpo kontratat janë duke u shqyrtuar në Organin shqyrtues për Prokurorim Publik. Kur të përfundojnë shqyrtimi i kontratave, ne do ta realizojmë ndriçimim edhe në atë pjesë”, ka thënë Bashkim Sadiku, zyrtar i lartë i Energjetikës në Komunën e Prishtinës.
Pa ndriçim mbetet edhe një pjesë e parkut afër QKUK-së për të cilën, Sadiku thotë se janë vendosur shtylla të reja që pritet të funksionalizohen.
”Pjesa tek fakulteti e deri te QKUK do të finalizohet brenda vitit mirëpo për dy të tjerat, varet nga prokurimi publik dhe afatit ligjor për ankesa. Nëse nuk kemi ankesa të vazhdueshme dhe lirohet kontrata, shpresojmë se pjesë do kryhet. Nëse ka ankesa dhe vazhdon me muaj të tërë deri në lidhjen e kontratës së re, kur të lidhet kontrata do kryhen shërbimet”, ka htënë Bashkim Sadiku, zyrtar i lartë i energjetikës në Komunën e Prishtinës.
Në maj të këtij viti, Komuna ka larguar shtyllat e vjetra të ndriçimit publik duke i zëvendësuar me tjera. Ndërkaq, në muajin shkurt, e njëjta nënshkroi kontratë në vlerë 200 mijë euro për ndriçim publik.