Bodrumi i një objekti banesor në Prishtinë është mbushur me ujera të zeza. Krejt kjo pas shpërthimi të një gypi të kanalizimit. E kjo po rrezikon edhe pajisjet e ngrohtores “Termokos”. Nga KRU Prishtina thonë se nuk kanë përgjegjësi për rregullimin e gypave.
Për disa centimetra, bodrumi i këtij objekti banesor në lagjen “Dardania” të Prishtinës është mbushur me fekale e ujera të kanalizimit.
Kjo pasi një gyp ka shpërthyer duke krijuar këtë gjendje në hyrjen e pare të këtyre ndërtesave.
Përveç kundërmimit, në këtë pjesë po rrezikohen edhe pajisjet e ngrohtores.
Prandaj ngrohtorja ka vendosur edhe këtë njoftim.
Kjo gjë ka shqetësuar banorët e këtij objekti banesor.
“Ngrohtorja duhet me hek problemin e vet, banorët duhet me intervenu, kompania e shtetit duhet me ardhe me sanu problemin atje poshtë, sepse një cevë e kanalizimi po rrjedhe atje mu te makinat e ngrohtores”, thotë Naim Sejdiu, banor i lagjes.
Nga ngrohtorja Termokos, kanë thënë se ky nuk është faji i tyre dhe se kanë kërkuar bashkëpunim por nuk kanë mundur të bëjnë zgjidhje.
“Është një problem në stacionin e ngrohjes i cili është i mbushur me fekale, ne kemi kërkuar bashkëpunim nga dy kompanitë që janë të autorizuara për pastrime të tilla, asnjëra prej tyre nuk ka pranuar të bëjë pastrimin e këtij nënstacioni si rrjedhojë në pamundësi për të bërë një punë që nuk operojmë, nuk është në domenin e ndërmarrjes tonë. Ne kemi rrezikuar të punojmë furnizimin me ngrohje edhe në këtë objekt banesor për aq sa do të na mundësohet në këto kushte”, tha Afërdita Uka- zëdhënëse e Termokosit
Nga Kompania e Ujësjellësit Prishtina, thonë se nuk e kanë përgjegjësi rregullimin e këtyre gypave.
“Aty është duke punuar komuna, në ujera atmosferike. Ne e kemi përgjegjësi zhbllokimin e pusetave kryesore, ndërsa brenda nuk është përgjegjësi e jona”, tha zëdhënsja Arjeta Mjeku.