Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Alban Zogaj në emisionin “Përballje”, ka thënë se fokusi i programit të LDK-së do të jetë këndellja e ekonomisë së vendit.
“Fokusi i programit tonë, por edhe fokus i LDK-së do të jetë kryesisht zhvillimi i vendit, fuqizimi i vendit në çdo sferë të jetës. Ne po konstatojmë me bindje të plotë që Kosova ekonomikisht, por edhe në rrafshe tjera, sidomos në rrafshin e politikës jashtme edhe partneritetit me partnerët tanë kryesorë, kurrë nuk ka qenë në nivel më të ulët”.
Zogaj thotë se për ta kthyer ekonominë në zhvillim duhet investim.
“Unë shpesh kam takime të shumta me bizneset, edhe të Prishtinës, meqenëse jam në Prishtinë duke punu vazhdimisht por edhe me bizneset e qyteteve tjera të Kosovës. Ka mungesë të madhe të qarkullimit të fondeve, ka mungesë të madhe të qarkullimit të cash-it, ka mungesë të madhe të qarkullimit në ekonomi. Një ekonomi e cila nuk lëviz, e cila nuk qarkullon ajo ekonomi ngec, dhe kjo ka ndodhur me ekonominë e Kosovës”.
Ai thotë se do të ketë investime nga 1.2 miliardë euro për çdo vit gjatë mandatit qeverisës 4-vjeçar që synon ta drejtojë Abdixhiku.
“Ky program parasheh pesë miliardë euro investime për një mandat. Pesë miliardë euro investime, gjë e cila s’ka ndodh në këtë mandat. Në logjikën ekonomike, buxhetet zakonisht ndahen në tri shtylla të mëdha. Një e treta e buxheteve shkon në paga, gjithmonë dhe ka ndodhur në të gjitha vendet e botës. Një e treta e buxheteve shkon në investime kapitale dhe një e treta tjetër shkon në mallra dhe shërbime apo mirëmbajtje të shtetit”.
Kandidati për deputet i LDK-së thotë se në të gjitha vendet normale të botës 1/3 e buxhetit shkon në paga, por sipas tij kjo nuk po ndodh me qeverinë aktuale.
“Një e treta e buxhetit do të na shkojë në paga dhe do t’i rrisim pagat, sepse aktualisht nuk shkon në një e treta e buxhetit. Pra, ne po themi që ka hapësirë dhe 30% të këtij 3 miliardëshit do ta orientojmë drejt pagave dhe do t’i rrisim pagat në mandatin tonë menjëherë”, ka deklaruar mes tjerash Zogaj.