Tregtarët nën mbuloja në pritje të tregut të ri, projekti që mbeti në letër

Prishtina

Tregtarët nën mbuloja në pritje të tregut të ri, projekti që mbeti në letër

Më: 15 dhjetor 2024 Në ora: 07:52
Pamje nga vendi i ngjarjes

Biznese të vogla ka shumë por kioskat e tyre, nuk ofrojnë asnjë kusht për veprimtaritë që bëjnë.

Disa në mes të rrugës, disa në bagazhet e makinave të tyre e të tjerë në kioska të improvizuara.

E pavarësisht këtyre, Ismet Baliu këtë vend e ka të përhershëm tash e disa dekada e përgjatë tërë kësaj kohe, kushtet thotë se kanë ndryshuar pak.

Ismet Baliu, tregtar deklaroi se “Qe 35 vjet, rregullisht jam këtu. Kushtet kurrë s’kanë qenë. Kushte s’kemi po zori po na bën të vijmë të shesim. Shi e borë po rrimë, po duhet me ndejt. Në vend që të kemi tezgën duhet nën mbulojë. Edhe mallin bora po e mbulon
Shpresë për veprimtaritë që u sigurojnë të ardhurat, priste të sillte Projekti për Tregun e Gjelbër”.

Por për Baliun, i njëjti nuk u ka sjell asgjë pos zhgënjimit.

Ismet Baliu, tregtar tha se “Tregun na premtuan që po e rregullojnë e s’është askund, na hiqën e tash kem dal në rrugë. Tregu veç po duket se sa është rregullu, me kolicë s’mund të dalësh e lëre më me veturë për të bartur mall. Do na lehtësone punën shumë po s’ka asgjë, vetëm premtime”.

Projekti i tregut të ri u prezantua nga Rama tetorin e vitit të kaluar, në një foto 3D. Por siç u prezantua duket se njësoj ka mbetur.

Televizioni ka vizituar edhe vendin ku ishte paraparë të zinte vend Tregu i ri, por në të njëjtën nuk është ndërmarrë ndonjë hap.

E megjithatë komuna, tenderin ua ka dhënë disa kompanive të cilat nuk ishin prezente në hapësirën ku parashihet.

Në dokumentin e publikuar në platformën “Prishtina Online”, tenderi iu dha tre kompanive në vitin 2021 me vlerë prej mbi 4 milionë eurosh.

Televizioni ka kontaktuar me kryetarin Përparim Rama dhe nënkryetarin, Alban Zogaj, por nga të njëjtit nuk ka pranuar përgjigje.

Njësoj ka vepruar edhe Drejtori për Investime Kapitale dhe Menaxhimin e Kontratave, Krenar Xhaferi, pavarësisht premtimeve për një përgjigje.

commentKomento
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat