Komuna e Prishtinës sot ka nderuar liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmetin me “Çelësin e qytetit”.
Lideri Ahmeri derisa u shpreh i emocionuar teksa pranoi “Çelësin e qytetit”, theksoi se me këtë veprim, Prishtina ka nderuar sot shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.
Ahmeti: Vendlindja ime e dytë Prishtina, keni nderuar shqiptarët e Maqedonisë Veriore
“Do doja thjesht të shpreh një moment emocional të jetës time dhe ju do pyesni pse ky moment emocional, sepse mua sot kryetari i Prishtinës më jep çelësin e vendlindjes time të dytë Prishtinës. Faleminderit kryetar, më keni nderuar mua, familjen time, keni nderuar shqiptarët e Maqedonisë”, tha ai.
Ndërsa, kryetari i Kryeqytetit, Rama e quajti Ahmetin “hero”.
Rama: Është edhe bashkë-themelues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës
“Gjeneratat tona janë me fat që kanë qenë pjesë e kësaj historie, që jo vetëm u ka ra me shijua lirinë, mirëpo edhe me qenë pjesë e të gjithë këtij procesi edhe me u takua me njerëz të jashtëzakonshëm të historisë tonë të kombit shqiptar. Janë figurat si zotri Ahmeti që jo vetëm që kanë sakrifikuar dhe kanë dhënë çdo gjë nga vetja e i kanë inspiruar të gjithë tjerët për me e mbrojt gjuhën tonë, flamurin tonë, prandaj edhe sot këtu në zyrat e kryeqytetit jemi me fat që e kemi zotëri Ahmeti dhe e nderuam me çelësin e qytetit, i cili është edhe bashkë-themelues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, deklaroi Rama.
Edhe pse u pyet për çështje politike, Ahmeti vendosi që të mos përgjigjej. Takimi Rama e Ahmeti nuk përfshiu politikë, e dy politikanët shfrytëzuan rastin të bisedojnë për familjet e tyre. I pranishëm në takim ishte edhe kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.