Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca e Komunës së Prishtinës u ka bërë sot thirrje të gjithë qytetarëve për vigjilencë dhe kujdes të shtuar, dhe të raportojnë çdo situatë të dyshimtë, individë apo mjete të braktisura që mund të paraqesin rrezik për rendin dhe sigurinë.
Apeli vjen një ditë pas sulmit në një treg Krishtlindjesh në Magdeburg që pasoi me viktima dhe qindra të lënduar.
“Gjatë ditëve të festave që po afrohen, kur Kryeqyteti ynë mbushet me gëzim, vizitorë dhe aktivitete të shumta, është e rëndësishme që secili prej nesh të tregojë kujdes të shtuar për sigurinë dhe mirëqenien e përgjithshme. Apelojmë për vigjilencë dhe bashkëpunim nga të gjithë qytetarët”, thuhet në apel.
Komuna e Prishtinës paralajmëron se do të ketë patrulla shtesë policore dhe kontrolle në sheshet kryesore dhe zonat me dendësi të madhe të qytetarëve, dhe se të gjitha ekipet emergjente të Kryeqytetit dhe Policisë së Kosovës do të jenë të gatshme 24/7 për çdo situatë të mundshme.
-Vëzhgoni rrethinën dhe lajmëroni menjëherë autoritetet për çdo rast të dyshimtë, situatë apo individ që mund të paraqesë rrezik për rendin dhe sigurinë.
-Kontaktet emergjente: Policia e Kosovës - 192 | Zjarrfikësit - 193 | Ndihma e Shpejtë – 194, Qendra Operative Emergjente 0800 122 33 ose 122 44.
- Mos hezitoni të raportoni mjete apo pako të braktisura në hapësira publike.
Lutemi për kujdes të shtuar në hapësirat e mbipopulluara si:
- Sheshet dhe qendrat kryesore të qytetit
- Hapësirat tregtare dhe festive
- Pikat e organizimeve kulturore dhe aktiviteteve të tjera publike.
Rregullat bazë për një festë të sigurt:
- Kujdesuni për sendet personale gjatë lëvizjes në turma.
- Respektoni udhëzimet e organeve të sigurisë dhe sinjalizimet në trafik.
- Mos bllokoni hyrjet dhe daljet e objekteve publike.
Masat që do të zbatohen gjatë festave janë si vijon:
1. Rritja e pranisë së forcave të rendit dhe sigurisë
• Patrulla shtesë do të jenë të pranishme në sheshet kryesore dhe zonat me dendësi të madhe të qytetarëve.
2. Paralajmërim mbi përshkrimin dhe përdorimin e mjeteve piroteknike
• Kujtojmë qytetarët se përdorimi i mjeteve piroteknike është i rrezikshëm dhe i ndaluar në hapësirën publike.
• Do të ketë kontrolle të shtuara nga organet përkatëse.
3. Ndihma e shpejtë dhe shërbimet emergjente
• Të gjitha ekipet Emergjente të Kryeqytetit dhe Policisë së Kosovës do të jenë të gatshme 24/7 për çdo situatë të mundshme.
4. Thirrje për kujdes të shtuar
• Ftojmë qytetarët të kenë kujdes të veçantë ndaj fëmijëve dhe të moshuarve në turmat e mëdha.