Kryetari i Prishtinës, Perparim Rama, ka njoftuar se për herë të parë, Prishtina ka arritur shfrytëzimin e mbi 80% të buxhetit dhe realizimin e 63% të investimeve kapitale për vitin 2024.
Kryetari i Prishtinës, Perparim Rama, në fund të vitit 2024, ka theksuar arritjen historike të kryeqytetit, duke bërë të ditur se mbi 80% e buxhetit janë shfrytëzuar dhe 63% e investimeve kapitale janë realizuar.
Ai ka falënderuar ekipin e drejtorëve dhe punëtorëve të qytetit për angazhimin e tyre të jashtëzakonshëm, duke theksuar se ky sukses është rezultat i punës së palodhur dhe përkushtimit.
“Kryeqyteti jonë, për herë të parë në historinë e vet, ka shënuar një arritje historike: mbi 80% e buxhetit të shfrytëzuar dhe 63% e investimeve kapitale të realizuara! Kjo është dëshmi e një pune të palodhur, përkundër çdo bojkoti, bllokade dhe sfide që kemi hasur rrugës. Pas këtij suksesi qëndron një ekip i jashtëzakonshëm: drejtorët e Kryeqytetit”, ka theksuar ai, në një postim në Facebook.
Gjithashtu ka falënderuar qytetarët e Prishtinës për mbështetjen dhe durimin, duke shtuar se vitin 2025 do të nisin me një energji të re dhe me vizionin për të kthyer shkëlqimin dhe dinjitetin në qytet.
“E di që ende kemi shumë për të bërë, por vizioni ynë është i pandalshëm: do t’ia kthejmë këtij qyteti shkëlqimin, dinjitetin dhe shpirtin e tij unik. Ky është zotimi ynë ndaj jush, dhe do ta realizojmë Le të nisim vitin 2025 me kokën lart, me zemrat plot dhe me një energji të re! Kjo është Prishtina jonë, qyteti i energjisë dhe i krenarisë”, ka shkruar mes tjerash Rama në Facebook.