Viti 2024 po vlerësohet si i suksesshëm për Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prishtinë.
Kjo për shkak se janë evidentuar dhe proceduar rreth 19 mijë raste, e ku mbi 80 për qind prej tyre janë zbuluar dhe dërguar në Prokurori e Gjykata.
Sipas statistikave, në 2024-ën është shënuar një ulje e veprave penale në përgjithësi dhe ka pasur rritje të zbulueshmërisë.
Drejtori i Policisë në Rajonin e Prishtinës, Basri Shabani thotë se falë angazhimit të tyre, është arritur të ulet edhe numri i vrasjeve.
“Fatmirësisht kemi ulje të numrit të vrasjeve në regjionin e Prishtinës dhe më specifikisht mund të them se gjatë vitit 2023 kishim 10 vrasje e për neve 1 është shumë, megjithatë gjatë vitit 2024 kemi pasur një ulje të rasteve të vrasjeve dhe kemi pasë tetë raste të vrasjeve, disa kanë qenë edhe brenda familjes që ka qenë e pamundur të parandalohen megjithatë për ne është shqetësuese siç e potencova vetëm një rast vrasje apo lëndim trupor që ndodhë në zonën tonë të përgjegjësisë”, ka thënë Basri Shabani, drejtor i Policisë në rajonin e Prishtinës.
Shabani tregon se ka pasur një ngritje të rasteve të raportuara të dhunës në familje, që vlerëson se janë bërë për shkak të vetëdijesimit dhe besimit të qytetarëve në këtë institucion.
“Nëpër stacionet policore ku kemi pas të angazhuar dy zyrtarë hetues të dhunës në familje, kemi rritë numrin në katër zyrtarë policorë dhe njëkohësisht janë mbajtur edhe trajnime profesionale lidhur me trajtimin e rasteve të dhunës në familje dhe mund të them me përgjegjësi se i kemi kushtuar një rëndësi të veçantë dhe prioritet për ne është parandalimi i rasteve të dhunës në familje”, shprehet Shabani.
E funksionalizimi i Policisë së Kryeqytetit, ai thotë se ka ndihmuar shumë punën e institucionit duke shkurtuar kohën e reagimit në thirrjet e qytetarëve.
“Ne në vitin e kaluar nga 17 minuta kemi ulë kohën e reagimit në 14 minuta, ndërsa si objektiv i yni ishte që në këtë vit nga 14 minuta kohën e reagimit ta shkurtojmë në 12 minuta dhe atë e kemi tejkaluar dhe mund të themi se në vitin 2024 koha e reagimit në DRP Prishtinë është 11 minuta, dmth nga momenti kur ne marrim informacionin nga qytetari për t’iu përgjigjur në vendin e ngjarjes mesatarja është 11 minuta”, thotë drejtori i PK-së për rajonin e Prishtinës.
Gjatë 2024-ës është ulur edhe numri i aksidenteve me fatalitet, ku nga 29 raste në 2023-ën janë regjistruar vetëm 19 raste.
Ndërkaq, ka pasur edhe ngritje të aktiviteteve në komunikacion, ku nga 185 mijë gjoba të shqiptuara është rritur në 212 mijë gjoba.