Gjatë ditës u raportua se shumë qytetarë të Prishtinës kërkuan që të gjitha qendrat e mjekësisë familjarë të punojnë edhe në ditë festash.
Ismail Muqiqi, një qytetar i Prishtinës, shprehu shqetësimin e tij për mbylljen e qendrave të shëndetësisë, duke theksuar se qyteti ka shumë banorë dhe kërkesat për shërbime mjekësore janë të mëdha.
“Prishtina është kryeqyteti i Kosovës, ka shumë banorë dhe ka shumë nevojë sepse qytetarët kërkojnë shërbime mjekësore në të gjitha qendrat që duhet të punojnë. Nuk ka festë vikend e të diela, por të gjitha qendrat duhet me qenë mobile se askush nuk mund të parashikojë se çka do të ndodh sesa pacient do të kenë nevojën për ndihmën e mjekut, apo ka ndonjë tragjedi ndeshje në komunikacion”, ka deklaruar Muqiqi për EO.
Lidhur me këtë çështje është deklaruar drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku.
Sadiku tha se tash e një kohë, duke u bazuar në rregullore, në ditë festash punojnë pesë qendra të mjekësisë familjare, në kryeqytet.
“Në Prishtinë, pesë qendra të mjekësisë familjare punojnë në festa. Është rregull i caktuar me vite të tëra: gjatë festave punojnë pesë qendra, ndërkaq gjatë vikendit punojnë të gjitha, pra 18. Sot është festë zyrtare, kanë punuar pesë. Funksionimi është normal, orari është mbajtur me rregull”, u shpreh Sadiku.
Ai tha se mobilizimi i të gjitha qendrave është bërë në kapacitete maksimale, për të ofruar shërbime sa më kualitative, sidomos me rritjen e numrit të pacientëve me grip sezonal.