Bora që ka nisur të bie nga mbrëmë e që po vazhdon të bije, ka vështirësuar qarkullimin e lirë të automjeteve në shumë rrugë të Kosovës, por edhe në Prishtinë.
Vështirësi në rrugë, qytetarët kanë njoftuar për rrugën Prishtinë-Pejë, Prishtinë-Mitrovicë, por edhe në rrugë tjera rajonale dhe lokale.
Ndërkohë, është raportuar për bllokimin e disa rrugëve lokale në Prishtinë. Ndërkohë, edhe në rrugët kryesore janë shkaktuar kolona, për shkak se vështirësive të automjeteve për të lëvizura.
Po ashtu, qytetarët kanë njoftuar se shumë automjete e kanë të pamundur ta kalojnë tatpjetëzen e Veternikut.
KosovaPress ka tentuar të flas me përfaqësues të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Komunës së Prishtinës, por një gjë e tillë ka qen e pamundur.
Ndërkohë, Policia e Kosovës ka apeluar për kujdes të shtuar gjatë ngasjes në rrugët e mbuluara me borë.
“Bazuar në situatën e tanishme ku kemi ndryshim të kushteve atmosferike dhe reshje të borës, Policia e Kosovës apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, në veçanti shoferëve të automjeteve për kujdes të shtuar, përshtatje të shpejtësisë me kushtet atmosferike dhe me gjendjen e rrugës, mbajtje të distancës mes mjeteve, si dhe ngadalësim gjatë lëvizjes në rrugë të mbuluara me borë dhe me ngrica”, thuhet në apelin e Policisë.