Inspektorati i Kryeqytetit ka ndërhyrë sërish për të pastruar hapësirat përreth Tregut të Gjelbër, ku ishte grumbulluar një masiv mbeturinash.
Në njoftimin e bërë për media thuhet se persona të pandërgjegjshëm kanë vazhduar të hedhin mbeturina përreth tregut.
“Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të Inspektoratit për të ruajtur pastërtinë dhe apelimeve për kujdes nga ana e tregtarëve dhe vizitorëve, persona të pandërgjegjshëm vazhdojnë të hedhin mbeturina kudo në hapësirat përreth tregut me çka rrezikojnë seriozisht shëndetin e qytetarëve të kryeqytetit”, theksohet në njoftim.
Tutje, theksohet se “pastrimi i kryer për dy ditë radhazi nga Inspektorati i Kryeqytetit është pjesë e angazhimit tonë të përhershëm për një mjedis të pastër dhe të shëndetshëm për të gjithë qytetarët”.
Inspektorati paralajmëron se në rastet e ardhshme të shkeljeve si kjo, do të merren masa ndëshkuese ndaj personave përgjegjës.
“Ftojmë qytetarët dhe tregtarët të na mbështesin në këtë iniciativë duke treguar kujdes për mjedisin dhe duke raportuar çdo rast të papërgjegjshmërisë”, vijon njoftimi.