Në mëngjesin e të martës, Policia e Kosovës kishte bllokuar rrugën “Preng Doçi”, në lagjen Bregu i Diellit për shkaqe të rrezikshmërisë së akullit tw krijuar nw një ndërtesw.
Vendi u rrethua derisa punëtorët e “Dardaniaa SHPK”, kompani për mirëmbajtjen e rrugëve dhe trotuareve, larguan akullin.
Temperaturat e ulëta kanë krijuar akull të mëdhenj, gjë që sipas banorëve mund të rrezikojnë jetën e tyre.
Këtë çështje e ka komentuar edhe drejtori për Siguri dhe Emergjenca, Lulzim Fushtica. Ai ka thënë se kjo dukuri ka ardhur nga pakujdesia e banorëve të asaj ndërtese.
“Ne dje kemi dërguar inspektorët e drejtorisë për emergjenca dhe siguri, po ashtu edhe shërbimin e zjarrfikësve bashkë me kompaninë për intervenime emergjente. Sot kemi filluar me largimin e akullit që është në ndërtesë, e cila ka ardhur si pasojë e pakujdesisë nga banorët e ndërtesës dhe kjo paraqet jashtëzakonisht shumë rrezik për banorët dhe kalimtarët e rasti, pasi që mund të lëndohen me këputjen e ndonjë cope akulli deri në fatalitet”, ka deklaruar Fushtica.
Drejtori për Siguri dhe Emergjenca thotë për KosovaPress, se çdo ditë kanë inspektime në kryeqytet dhe presin thirrje nga qytetarët për raste të tilla që të intervenohet sa më shpejtë.