​Dyluftim në nivel politik konsiderohet situata e mbeturinave në kryeqytet

Prishtina

​Dyluftim në nivel politik konsiderohet situata e mbeturinave në kryeqytet

Më: 6 shkurt 2025 Në ora: 17:12
Foto ilustrim

Dyluftim në nivel politik po konsiderohet situata e krijuar në kryeqytet sa i përket menaxhimit dhe pagesave të mbeturinave.

Derisa nga Komuna e Prishtinës insistojnë se janë në të drejtën e tyre me pezullimin e rregullores së re të mbeturinave, nga kompania “Pastrimi” thonë se do të vazhdojnë ta zbatojnë po këtë rregullore.

Drejtori i Shërbimeve Publike në komunën e Prishtinës, Bekim Brestovci beson që vendimi tyre për pezullim e rregullores për menaxhim të mbeturinave është ligjor.

Brestovci thekson se varësisht nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të rregullohet edhe çështja e inkasimit për faturat e mbeturinave.

Brestovci: Jemi në rregull me vendimin për pezullim të rregullores

“Ne mendojmë se jemi në rregull sepse ne si drejtori e Shërbimeve Publike kemi një rekomandim nga zyra ligjore duke iu referuar një ligji, i cili pastaj e trajton edhe çështjen e kontesteve administrative dhe në bazë të këtij ligji në momentin kur një çështje e një konteksti administrativ dërgohet në Gjykatën Kushtetuese deri në vendim të një marrje e një vendimi nga Gjykata Kushtetuese konsiderohet si vendim i pezulluar. Në bazë të këtij rekomandimi të zyrës ligjore ne si drejtori e Shërbimeve Publike konsiderojmë vendimin e asamblesë komunale për plotësim-ndryshimin e rregullores si një çështje e pezulluar deri në një vendim tjetër të Gjykatës Kushtetuese. Andaj edhe iu kemi drejtuar qytetarëve që pagesën ta bëjnë në komunë e jo tek ndërmarrja drejt për së drejti”, theksoi ai.

Nga kompania për menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet “Pastrimi” deklarojnë se rregulloren në fjalë mund ta shfuqizoj vetëm Kuvendin Komunal i Prishtinë apo edhe gjykata.

Kryeshefi ekzekutiv i “Pastrimit”, Petrit Reçica thotë se derisa nuk ka një vendim gjyqësor për këtë çështje do ta zbatojnë rregulloren për mbeturinat.

Reçica: Deri tani nuk kemi vendim gjyqësor, do ta zbatojmë rregulloren

“Nuk e dimë mbi bazën e çfarë vendimi është bërë sepse rregullorja është një akt administrativ i cili është nxjerr dhe votuar nga Kuvendi Komunal dhe si i tillë ose mund të shfuqizohet nga vetë Kuvendi Komunal, ose me një vendim të Gjykatës kompetente. Ne nuk kemi pranuar ende asnjë vendim gjyqësor që do të bënte ne ta pezullojmë zbatimin e kësaj rregulloreje. Dhe derisa ne nuk kemi një vendim gjyqësor do ta zbatojmë rregulloren sepse është obligative”, u shpreh ai.

Tutje, Reçica insiston që pagesat e faturave për mbeturinat kryeqytetasit duhet t’i bëjnë tek kompania “Pastrimi”.

Reçica: Pagesat duhet të bëhen tek “Pastrimi”

“Nuk është kjo me fajin tonë, është bërë një shpërqendrim, pështjellim sa i përket pagesave, mirëpo me gjendjen aktuale me rregulloren ekzistuese të votuar në Kuvend dhe e legjitimuar nga ministria e Pushtetit Lokal rregullorja fillon të zbatohet dhe pagesat duhet të bëhen tek ndërmarrja “Pastrimi”, sepse ndërmarrja “Pastrimi” veçse është ndërmarrje publike e cila operon me vetë financim dhe nuk duhet të kishte dhe nuk do të duhej të ishte barrë për komunën e Prishtinës sepse do të mund t’ia dilte vetë pa asnjë telashe”, shprehet Reçica.

Besart Zhuja hulumtues në Institutin GAP thotë se situata për menaxhim të mbeturinave në kryeqytet po ndodh për shkak të dyluftimit politik në mes të komunës së Prishtinës dhe kompanisë “Pastrimi”.

Zhuja thekson se këtë situatë e karakterizon edhe mungesa e transparencës nga të dyja palët.

Zhuja: Kjo situatë ka ardhur si pasojë e një dyluftimi edhe në nivel politik

“Është për keqardhje situata aktuale që e kemi me menaxhimin e mbeturinave në komunën e Prishtinës. Kjo situatë ka ardhur si pasojë e një dyluftimi edhe në nivel politik, por edhe të mungesës së një kornize apo sigurisë ligjore rreth asaj se kush ka të drejtën ekskluzive për menaxhimin dhe natyrisht inkasimin e mjeteve pra nga qytetarët....03’47Çka e karakterizon aspektin e pastrimit në komunën e Prishtinës është mungesa e transparencës. Pra, ka një mungesë thelbësore të transparencës si nga komuna ashtu edhe nga kompania”, theksoi Zhuja.

Të hënën e kësaj jave Komuna e Prishtinës ka shpall gjendje të jashtëzakonshme për menaxhimin e mbeturinave. Fajin për situatën e krijuar ia kanë hedh partive opozitare duke thënë se me plotësim-ndryshimin e rregullores për mbeturina të iniciuar nga PDK dhe Lëvizja Vetëvendosje në Kuvendin Komunal është pamundësuar edhe angazhimi i sektorit privat në aspektin e mbeturinave.

Në anën tjetër, ekologët e kanë konsideruar të panevojshme shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për situatën me mbeturinat. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat