Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, shpreson që sa më shpejt të formohet qeveria e re dhe kryeqyteti të jetë ndër prioritetet.
Lidhur me procesin zgjedhor, Rama tha se “Prishtina edhe një herë dëshmoi se është zemra e demokracisë sonë – si gjatë fushatës zgjedhore, ashtu edhe në ditën e zgjedhjeve”.
A uroi partinë fituese dhe përgëzoi partitë opozitare, “të cilat zhvilluan një fushatë dinjitoze, të drejtë dhe demokratike, duke dëshmuar se politika në Kosovë mund të bëhet me vizion dhe përgjegjësi”, shprehet Rama.
Postimi i tij i plotë:
Të nderuar qytetarë të Prishtinës, qytetarë të Kosovës!
Sot, pas përfundimit të një procesi zgjedhor të rëndësishëm për të ardhmen e vendit tonë, dua t’ju shpreh mirënjohjen më të thellë për qytetarinë e jashtëzakonshme, maturinë demokratike dhe pjesëmarrjen tuaj aktive. Prishtina edhe një herë dëshmoi se është zemra e demokracisë sonë – si gjatë fushatës zgjedhore, ashtu edhe në ditën e zgjedhjeve.
Urime partisë fituese. Shpresojmë që shumë shpejt të formohet qeveria e re dhe që Prishtina të jetë një ndër prioritetet kryesore në agjendën qeverisëse. Kryeqyteti nuk është vetëm një qendër urbane, por zemra e funksionimit të shtetit, motori i zhvillimit ekonomik dhe imazhi ynë në botë. Rrjedhimisht, ai kërkon një program të qartë qeverisës, investime strategjike dhe një qasje të menduar mirë për ta kthyer Prishtinën në një model të zhvillimit modern e europian. Si institucion, do të jemi të hapur për bashkëpunim, me synimin që kryeqyteti ynë të marrë vendin që i takon në hartën e zhvillimit kombëtar.
Përgëzime për partitë opozitare, të cilat zhvilluan një fushatë dinjitoze, të drejtë dhe demokratike, duke dëshmuar se politika në Kosovë mund të bëhet me vizion dhe përgjegjësi.
Dua të shpreh mirënjohjen e madhe për Lumir Abdixhiku dhe Lidhja Demokratike e Kosovës për një fushatë model, të ndërtuar mbi parimet e kulturës politike, vizionit dhe unitetit. LDK, nën drejtimin e tij, ka treguar se debati politik duhet të zhvillohet mbi bazën e ideve dhe alternativave konkrete, duke forcuar besimin në një të ardhme më të ndritur për Kosovën.Në këtë frymë, një mirënjohje e veçantë shkon për angazhimin e LDK-së për Prishtinën – jo vetëm si kryeqyteti i Kosovës, por si qendra e zhvillimit ekonomik, politik dhe kulturor të Republikës sonë. Një Prishtinë moderne, funksionale dhe e urbanizuar me vizion është çelësi për një Kosovë të fortë dhe konkurruese në rajon.
Kryeqyteti do të vazhdojë të jetë zëri i progresit, i zhvillimit dhe i një Kosove që ecën përpara me dinjitet dhe vizion.