Prishtina gati të sjellë 30 autobusët e rinj në kryeqytet

Prishtina

Prishtina gati të sjellë 30 autobusët e rinj në kryeqytet

Më: 13 shkurt 2025 Në ora: 10:22
Foto ilustrim

Trafiku Urban në Prishtinë njofton se procedura e prokurimit për blerjen e 30 autobusëve të rinj tani është publikuar.

Përmes një njoftimi për media është bërë e ditur se Trafiku Urban po sjell 30 autobusë të rinj për kryeqytetin “duke përmirësuar shërbimet dhe përkushtimin ndaj një transporti publik më të avancuar!”.

“Falë angazhimit të kompetentëve të ndërmarrjes dhe mbështetjes së fuqishme nga Komuna e Prishtinës, ky proces ka arritur një fazë të rëndësishme. Blerja e autobusëve do të realizohet përmes procedures dhe platformës së BERZH-it (Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim)”, thuhet në njoftimin e Trafikut Urban.

Procedura për aplikim është e hapur deri më 2 prill 2025, pas së cilës do të bëhet zgjedhja e operatorit.

Në njoftimin e Trafikut Urban thuhet se me përfundimin e këtij procesi, autobusët e rinj pritet të mbërrijnë shumë shpejt dhe të ofrojnë shërbime të reja dhe më të mira për qytetarët.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat