Komuna e Prishtinës, dhjetë ditë pas shpalljes së gjendjes emergjente për mbeturinat në kryeqytet, fajin po vazhdon t’ia lë kompanisë rajonale të mbeturinave “Pastrimi” duke thënë se gjendja është përkeqësuar ndjeshëm.
Sipas zyrtarëve komunalë kjo kompani ka dështuar, duke prodhuar sabotazhe të paarsyeshme dhe lojëra politike të cilat sipas tyre kanë penguar çdo mundësi për përmirësimin e gjendjes në terren.
Në konferencën e mbajtur për media, drejtori i Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci tha se 2 mijë e 500 kontejnerët e rinjë dhe gjashtë kamionët e rinjë, të cilët ia ka dhënë komuna kësaj kompanie, iu është kërkuar që të shpërndahen në kryeqytet. Sipas tij, kontejnerët e kamionët po vazhdojnë të qëndrojnë në deponitë e tyre, ani pse është kërkuar që të shpërndahen.
E kjo “mos përgjegjësi” nga ndërmarrja “Pastrimi”, Brestovci tha se mund të jetë edhe politike.
Brestovci: Shpërndarja e kontejnerëve nuk po bëhet nga Pastrimi për qëllime, që mund të jenë edhe politike
“Gjendja me menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet, po vazhdon të jetë tepër emergjente...Sot kam parë një statut të krye shefit të ndërmarrjes ‘Pastrimi’, i cili përpiqet me fore të lodhta fajin me ia lënë komunës, por kemi fakte të mjaftueshme që shpërndarja e kontejnerëve nuk po bëhet nga ndërmarrja Pastrimi për qëllime, që ndoshta mund të jenë edhe politike. Më e keqja e së keqes, është se kemi informacione të konfirmuara që këta kamion, ndërmarrja Pastrimi, i ka prishë, i ka bërë jo funksional dhe jo të përdorshëm dhe tani po presim një intervenim nga prodhuesi i këtyre kamionëve për t’i rikoduar”, tha Brestovci.
Ndërsa, drejtori i Sigurisë dhe Emergjencës, Lulzim Fushtica ka shtuar se që nga shpallja e gjendjes emergjente, pas inspektimit, si rezultat, ka pasur rritje të rrezikut të zjarrit, ndezje të mbeturinave në mënyrë të qëllimshme, rrezikim i shëndetit të qytetarëve, shtim të qenve endacakë dhe përhapje të sëmundjeve epidemike.
Fushtica: Është frikë edhe nga rritja e rrezikut nga epidemitë
“Që nga shpallja e gjendjes emergjente, ne kemi bë inspektimin në kryeqytet, me inspektorët e menaxhimit të emergjencave dhe si rezultat kemi pasur një rritje të jashtëzakonshme të rrezikut nga zjarret, ndezje të mbeturinave në qytet të qëllimshme dhe si të tilla ato e kanë rrezikuar edhe shëndetin publik të qytetarëve, bllokim të hapësirave dhe rugëve, si aspekt i mos grumbullimit të mbeturinave edhe rritje të tensioneve të pakënaqësive të qytetarëve.. Është frikë edhe nga rritja e rrezikut nga epidemitë por edhe prania e qeneve endacak që janë në kryeqytet”, shtoi Fushtica.
Drejtorët e Shërbimit Publik dhe Sigurisë e Emergjencave, janë shprehur se tanimë Komuna e Prishtinës, për këtë situatë emergjente duhet të marrë situatën në dorë vet.