Rama: Beteja e Nokshiqit, testament i qëndresës dhe identitetit shqiptar

Prishtina

Rama: Beteja e Nokshiqit, testament i qëndresës dhe identitetit shqiptar

Më: 18 shkurt 2025 Në ora: 22:55
Përparim Rama

Në 145-të vjetorin e Betejës së Nokshiqit, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, theksoi rëndësinë historike të kësaj ngjarjeje dhe simbolikën e saj për popullin shqiptar.

I pari i Prishtinës e cilësuar atë jo vetëm si një betejë të së kaluarës, por edhe si një testament të qëndresës së popullit shqiptar.

"Nokshiqi nuk është vetëm një betejë e së kaluarës, por një testament i qëndresës sonë. Para 145 vitesh, kjo tokë u dogj, banorët u ekzekutuan e u dëbuan, por ata nuk u thyen. Shqiptaria mbeti në shpirtin e tyre", tha Rama.

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e ruajtjes së identitetit dhe kulturës shqiptare.

"Sot, kemi detyrën të ecim përpara me të njëjtin guxim. Të ruajmë gjuhën, kulturën, identitetin. Ky përvjetor nuk është vetëm kujtim, por betim, që historia të mos harrohet, që të jemi pasardhës të denjë të atyre që luftuan për ne."

Përparim Rama e përfundoi fjalimin e tij duke nënvizuar se beteja e Nokshiqit është dëshmi e forcës dhe qëndresës.

"Beteja e Nokshiqit është dëshmi se historia jonë nuk është histori humbjesh, por qëndrese", tha Rama pas aktivitetit të organizuar në përkujtim të 145-vjetorit të 'Epopesë së Nokshiqit'.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat