Komuna e Prishtinës pritet të rishpallë konkurs për sheshin monumental për komandantin legjendar, Adem Jashari, pasi në konkursin e parë nuk u përzgjodh asnjë projekt fitues. Opozita kritikon Komunën për vonesa të paarsyeshme.
As në përvjetorin e 17-të të pavarësisë së Kosovës, kryeqyteti nuk arriti të bëhet me shtatoren e komandantit legjendar, Adem Jashari. Vitin e kaluar, ishte shpallur konkurs për sheshin monumental për komandantin legjendar. Nga ky konkurs u para kualifikuan pesë projekte si më të mirat, të cilat më pas u nxorën për një javë rresht në ekspozitë.
Në një konferencë në janarin e sivjetmë kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, sqaroi për RTK se familja nuk e parë asnjë projekt që meriton të ec përpara, andaj tha se konkursi pritet të rihapet.
Konkursi pritet të shpallet përsëri në muajin tjetër, konfirmoi për RTK-në, drejtori i Transformimit në Prishtinë, Gëzim Kastrati. Ndër të tjera ai foli edhe për lokacionin.
“Tashmë edhe kemi përcaktuar një lokacion në mes të Kuvendit dhe pjesës historike të qytetit të Prishtinës që është i paraparë nënkalimi dhe ajo pjesë komlet do të quhet sheshi “Adem Jashari”. Ky konkurs pritet të hapet shpejt, muajin tjetër, e të kemi përsëri një konkurs ndërkombëtar. Shpresoj që tani do të dakordohemi edhe me familjen e do ta kemi një ide të pranueshme për sheshin dhe shtatoren e komandantit legjendar”, tha Kastrati.
Nga Vetëvendosje në Prishtinë, thonë se vonesat janë të paarsyeshme.
“Komuna e Prishtinës i ka pasur në dispozicion të gjitha mjetet, e ka pasur vendimin e Kuvendt, i ka pasur mjetet financiare në dispozicion mjaftueshëm. Është votuar dy herë së paku buxhet që brenda tij e ka pasur të ndarë pjesën për shtatoren e heroit legjendar. Ka pasur mundësi e njëjta të kalohet vitin e kaluar, të del thirrja tjetër, të mirret projekti tjetër që do të ishte i pranueshëm e shtatorja duhej të ndërtohej tashmë”, tha Feim Osmani, asamblist i VV-së në Prishtinë.
Komuna kishte planifikuar se sheshi do të shërbejë jo vetëm si një simbol i sakrificës së madhe, por edhe si një vend ku brezat e sotëm dhe të ardhshëm mund të mësojnë një prej kapitujve më të rëndësishëm në historinë e kombit tonë.