Largimi i qenve endacakë në kryeqytet, Komuna: Do marrë kohë deri në prill

Prishtina

Largimi i qenve endacakë në kryeqytet, Komuna: Do marrë kohë deri në prill

Më: 1 mars 2025 Në ora: 22:54
Ilustrim

Largimi i deri në 1,500 qenve endacakë nga kryeqyteti dhe rritja e nivelit të sigurisë do të zgjasë deri në fund të prillit.

Kështu ka deklaruar  drejtori i Shërbimeve Publike në Prishtinë, Bekim Brestovci, duke sqaruar se procesi nuk është realizuar në mars, siç ishte premtuar më parë.

Studentët e Universitetit të Prishtinës vazhdojnë të ankohen për pasigurinë në kampusin universitar, ku numri i qenve endacakë mbetet i lartë, ndërsa ndriçimi është i pamjaftueshëm.

Brestovci ka theksuar se një pjesë e qenve po sillen në qytet nga fshatrat periferike, duke apeluar që kjo praktikë të ndalet.

Procesi i largimit të qenve ka nisur më 11 shtator dhe deri më tani janë larguar 900 qenë endacakë. Komuna kishte premtuar që deri në mars të largoheshin 1,300, por ky objektiv mbetet i paarritshëm për këtë afat.

Megjithatë, Brestovci beson se deri në fund të prillit numri i qenve të larguar do të arrijë në 1,500.

Nga ana tjetër, qytetarët e Rrugës B dhe zonave të tjera të Prishtinës kanë ngritur shqetësime të ngjashme, duke raportuar raste ku banorët hezitojnë të dalin pa masa mbrojtëse për shkak të pranisë së madhe të qenve endacakë.

Për të përshpejtuar procesin, komuna ka hapur një tender për rritjen e numrit të stafit të kapsëve, duke synuar që nga 50 qenë të kapur në javë, kjo shifër të rritet në 100.

Brestovci gjithashtu ka bërë thirrje për vetëdijesim të qytetarëve, duke kërkuar që të mos lihen qen endacakë në qendër të qytetit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat